Fjalë Kyçe

Pas kallëzimit penal ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, Prokuroria thotë se do të analizohen veprimet e prokurores së rastit

Pas kallëzimit penal ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, Prokuroria thotë se do të analizohen veprimet e prokurores së rastit

Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se e ka përcjellë me vëmendje debatin e zhvilluar në opinionin publik lidhur me çështjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.

Përmes njoftimit Prokuroria Themelore në Prishtinë ka sqaruar se ka pranuar Kallëzim penal privat kundër L.M. nga pala e dëmtuar D.M.

“Andaj, njoftojmë opinionin publik se veprimet e ndërmarra në këtë çështje janë në drejtim të trajtimit të Kallëzimit penal, për të cilën Prokurori i Shtetit ka obligim ligjor të trajtoj dhe sqaroj të gjitha rrethanat të cilat pretendohen nga palët e përfshira në proceset që zhvillohen para Prokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se: “Megjithatë, në situatën konkrete, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, do të analizoj veprimet e prokurores së rastit për këtë çështje dhe do të vlerësoj nëse eventualisht ka tejkalim të kompetencave që nuk janë në përputhje me ligjin”.

Ndër të tjera në njoftim bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar për respektimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të tjera të njeriut të cilat janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.