Tre nga pjesëtarët e stafit mjekësor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë tashmë janë vet-izoluar, pas kontaktit që kanë pasur me gruan 53 vjeçare e cila rezultoi pozitiv me koronavirus.
Dje është konfirmuar edhe rasti i parë me koronavirus në Suharekë, ku një femër 53 vjeçare ka dalë pozitiv në testin për koronavirus.
53 vjeçarja fillimisht ishte kontrolluar në QKMF’në e Suharekës, nga tre pjesëtarë të stafit të kësaj qendre, ku më pas u dyshua për koronavirus dhe ishte përcjellur për Klinikën Infektive.
Të tre pjesëtarët e stafit që kishin kontrolluar 53 vjeçaren, kanë hyrë në vet-izolim.
Këtë e ka konfirmuar edhe doktori i QKMF’së në Suharekë, Qëndrim Zenelaj, i cili tha se nuk ka ndonjë rrezik vetëm se për siguri ata janë vet-izoluar.
”Gruaja e cila ka qenë në Qendrën tonë, është vizituar nga tre pjesëtarë tjerë të stafit, të cilët edhe e kanë përcjellë rastin për Prishtinë edhe që dyshohej për koronavirus. Pjesëtarët gjatë ekzaminimit të rastit kanë qenë të pajisur me mjetet e duhura, me syza, maskë, dorëza dhe veshje adekuate. Tani për tani nuk ka ndonjë rrezik, vetëm se për siguri të njerëzve të tjerë, këta tre pjesëtarë janë vet-izoluar”, ka thënë Zenelaj për Metron.
Tutje ai ka bërë të ditur se gruaja e cila ka rezultuar pozitiv me koronavirus, ka pasur kontakte me shumë familjar të saj dhe rreziku i vetëm është te ata familjarë që kanë mundur të infektohen me COVID-19.
Në fund Zenelaj ka apeluar tek qytetarët suharekas dhe jo vetëm që të rrinë të qetë, të qëndrojnë në shtëpi dhe ka thënë se gjendja për momentin është në kontroll në Suharekë.
”Kujdes të shtuar, besim dhe bashkë do të i’a dalim. Mos e nënçmo rrezikun!”, ka thënë në fund doktori.
Kujtojmë që deri më tani në Kosovë janë paraqitur 24 raste pozitive me koronavirus.