Fjalë Kyçe

Pas përplasjeve, harmonizohen qëndrimet në LDK të Ferizajt

Pas përplasjeve, harmonizohen qëndrimet në LDK të Ferizajt

Kryesia e degës së LDK-së në Ferizaj e udhëhequr nga kryetari Muharrem Svarqa, njëherësh zëvendës ministër në ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, kanë mbajtur një mbledhje të përbashkët me struktura të kryesisë dhe kuvendarëve pas disa pakënaqësive të individëve cilat janë publikuar ditë më parë në media.

Burime të Kohës, brenda LDK-së në Ferizaj, kanë thënë se në mbledhjen e së shtunës në mbrëmje, nuk ka pasur ndonjë pakënaqësi ndaj kryetarit Svarqa, megjithëse prezent ishin edhe vet iniciatorët që kërkuan nëpër media unifikim të partisë dhe gjetjen e një kryetari konsesual, andaj janë harmonizuar qëndrimet brenda subjektit.

Me këtë rast kryesia e LDK-së ka zgjedhur edhe nënkryetarët dhe sekretarin e partisë.

“Në këtë mbledhje zgjodhën nënkryetarët dhe sekretari i kryesisë së degës. Me këtë rast nënkryetarë u zgjodhën Adem Salihaj, Imri Hashani, Besa Beqiri-Zejnullahu, Fadil Halili dhe Flamur Istrefi. Sekretar u zgjodh Ismet Vranovci. Nënkryetarët dhe sekretari u zgjodhën me votat e shumicës dërmuese të anëtarëve të kryesisë, pa asnjë votë kundër. Po ashtu gjatë mbledhjes nuk ka pasur përplasje për unifikim apo gjetjen e një kryetari konsesual”, ka thënë ky burim.

Ndërkohë, nëpërmjet një komunikate për media, të dielën, LDK-ja ka njoftuar rreth zhvillimeve të tyre dhe se e gjithë kryesia qëndrojnë unikë dhe e vendosur në përkrahje të Qeverisë së Kosovës dhe Kryeministrit Avdyllah Hoti. “Kryesia e degës diskutoi edhe lidhur me një nismë të një grupi të asambleistëve të LDK-së lidhur me unifikimin e degës. Nga fryma e diskutimeve të shumicës dërmuese të anëtarëve të kryesisë së degës doli se kjo është një përgjegjësi e kryesisë së degës, ndërsa asambleistët në kuadër të përgjegjësive të tyre, të parapara me statutin e LDK-së, statutin e komunës si dhe ligjet në fuqi, kanë përgjegjësi të merren me çështje që trajtohen në kuadër të kuvendit komunal. Duhet theksuar faktin se vetëm dy anëtarë të kryesisë patën një mendim ndryshe lidhur me këtë çështje.”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Po ashtu LDK-ja ka njoftuar se kryesia e degës ka mbajtur edhe takimin tjetër të rregullt me kryetarët e nëndegëve të cilët janë njoftuar rreth zhvillimeve të fundit. “Po ashtu, kryetari i degës Muharrem Svarqa, mbajti edhe një takim të veçantë me grupin e kuvendarëve të LDK-së, me të cilët u diskutua lidhur me nismën për unifikimin e degës. Grupi i asambleistëve u informua lidhur me frymën e diskutimeve në mbledhjen e kryesisë së degës, në të cilin u potencua se secili organ duhet të ushtrojë përgjegjësitë që bijnë në fushëveprimtarinë e tij, të parapara me ligj dhe statut”, thuhet më tej në komunikatë. Sipas tyre, kryetari i degës dhe Kryesia janë zotuan se do të punojnë me përkushtim për strukturimin e metejmë të partisë, mobilizimin, funksionalizimin dhe unifikimin e vazhdueshëm si dhe forcimin sistematik të LDK-së në Ferizaj për kthimin e saj në pushtet në zgjedhjet lokale të vitit 2021.