Fjalë Kyçe

Pas protestës studentëve, ky vend ka prapë shpresë

Pas protestës studentëve, ky vend ka prapë shpresë

Ky vend ka shpresë! Po, këtë gjë mund ta them me shumë bindje dhe kurajo sot, 5 ditë pasi studentët qëndrojnë në shesh.

Ky vend ka shpresë! Po, ka vërtet. E rikthyen ata që shumë veta nuk i konsideronin prej kohësh. 18 – 20 vjeçarët. Ata që kanë befasuar me oratorinë, me sjelljen e kujdesshme, me respektin ndaj vetes dhe ndaj të gjithëve në këto 5 ditë.

Ky vend ka shpresë! E ka treguar besimi dhe këmbëngulja e atyre që nuk largohen nga sheshi i tyre, atje, përballë Ministrisë së Arsimit. Duke kërkuar një të drejtë që besojnë se ju takon. Ose duke denoncuar një padrejtësi që janë të sigurtë që jua kanë bërë.

Ky vend ka shpresë. E tregon fantazia mahnitëse e pankartave që mbajnë në dorë; e parrullave që brohorasin dhe e memeve që po bëjnë xhiron e rrjeteve sociale.

Ky vend ka shpresë! Sepse solidariteti nuk paska vdekur ende. Eshtë tek ajo gruaja që u fut në mes të studentëve për t’ju çuar ushqimin që kishte nëçantën e saj; tek qytetarët që kanë dalë dhe rrinë në trotuarët anash; tek qytetarët në kafene që ngrihen në këmbë ndërsa vargani i studentëve ecën përpara tyre drejt vendit të takimit  dhe mbi të gjitha tek qindra mijëra vetë që pavarësisht bindjeve politike po postojnëçdo ditë në rrjetet sociale imazhet dhe videot e protestës.

Ky vend ka shpresë! Sepse për herë të parë një protestë është thjeshtë dhe vetëm e studentëve. Pa ndërhyrje politike, pa manipulime, pa frymëzime që synojnë tjetër gjë. Eshtë një protestë e studentëve, e tyre dhe vetëm kaq.

Ky vend ka shpresë! Ka shpresë pa hyrë fare në debatin nëse studentët kanë apo jo të drejtë; nëse disa gjëra qëndrojnë e disa jo; nëse janë ngelës apo nxënës ekselentë. Ky vend ka shpresë sepse tregoi që nuk ka harruar të protestojë. Nuk ka harruar të ngrihet kur beson se i bëjnë një padrejtësi. Se nuk mund të nëpërkëmbet dhe se ka dinjitet. Protesta është dinjitet. Heshtja dhe kokëulja është nënshtrim, skllavëri. Këto 5 ditë treguan edhe një herë se vlerat demokratike të këtij vendi nuk kanë vdekur ende. Janë aty. Edhe pse duheshin studentët për t’i ngjallur sërish.

Ndaj duhet t’ju themi sot atyre faleminderit! Faleminderit që nuk u bëtë si ne; që nuk ulët kokën; që nuk u bindët kur nuk jeni të bindur për atë që po ju ofrojnë; që rrezistuat e rrezistoni në shesh, duke i bindur të gjithë që nuk ka fund pa një zgjidhje.

Faleminderit që jeni dhe ndiheni të lirë. Sepse siç thoshte Albert Kamy:

“Liria nuk është asgjë më shumë se sa shansi për një jetë më të mirë”

Faleminderit që i kthyet këtij vendi shpresën që po i mungonte!

Blendi Fevziu