Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku do të takojë sot deputetët e partisë së tij për çështjen e presidentit.
Burime nga LDK-ja i kanë thënë Reporteri.net se takimi pritet të mbahet në ora 12:00.
Sipas burimeve të Reporterit kryetari Abdixhiku pas takimit që do ta zhvillojë me deputetët e partisë së tij, do të mbajë një konferencë për media, ku edhe do të tregojë qëndrimin e partisë së tij, nëse do ta votojnë apo jo Vjosa Osmanin për presidente të vendit.
Ndryshe, Haziri, dje pas takimit të Kryesisë së partisë e cila zgjati rreth tre orë tha se pas takimit të kryetarit Abdixhiku me deputetët vendoset nëse e votojnë apo jo Vjosa Osmanin për presidente.
“Kryetari i LDK-së dhe lidershipi nesër (sot) do të takohen me grupin e deputetëve që pjesëmarrja në seancë të jetë në frymën kushtetuese dhe duke krijuar frymë dhe angazhim dhe stabilitet politik në këtë vend. Ne do të punojmë që të dalim unanim, na duhet si çdo herë që veprimi jonë i përbashkët të jetë arma jonë politike”, pohoi Haziri.
Haziri dje pas takimit të Kryesisë takoi në një nga lokalet e Prishtinës, deputetin Agim Veliun.
Ky i fundit është një nga emrat që raportohet se kundërshton votimin e Vjosa Osmanit pë presidente. Dhe pikërisht ky takim i Hazirit me Veliun shihet si tentim për ta zbutur atë që ta jap votën për Osmanin që LDK të dalë unifikuese, shkruan Reporteri.net.
Përveç Veliut, raportohet se kundër Osmanit janë deputetët, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj.