Fjalë Kyçe

Pas Trepçës ’89 e Dritës, edhe Ballkani reagon rreth tenderit të dyshimtë që FFK-ja po ua jep Devollëve

Pas Trepçës ’89 e Dritës, edhe Ballkani reagon rreth tenderit të dyshimtë që FFK-ja po ua jep Devollëve

Klubet e Superligës së Kosovës në futboll kanë mbetur vetëm spektatorë në procesin e shitjes së drejtave televizive të kampionatit të ri që nis më 12 shtator nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ndonëse klubet natyrisht se janë akterët kryesorë në futbollin kosovar, shkruan Gazeta Express.

Gazeta Express të martën raportoi se “Artmotion” – që është në pronësi të Devollëve, të cilët nuk lënë tender pa e fituar – këto ditë pritet të shpallet fitues i drejtave televizive nga ana e FFK-së, përmes një procesi shumë të dyshimtë.

Lexo Edhe:
Ngecin bisedimet mes Dybalas dhe Juventusit
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e kishte hapur tenderin më 5 gusht. Kompanitë mediale kishin afat deri më 12 gusht të konkurronin. Por, fituesi nuk është shpallur as disa javë pas mbylljes së afatit të tenderimit. Gazeta Express ka mësuar se një komision i FFK-së e ka përgatitur një raport nga ky proces, përmes së cilit e rekomandon Komitetin Ekzekutiv të FFK-së që ta shpall “Artmotion” fitues të transmetimit të kampionatit të ri.

Fitorja e “Artmotion” në futbollin kosovar përflitej muaj më herët para hapjes së tenderit. Po ashtu, ofertat financiare janë mbajtur të fshehta për disa ditë. Ndërsa, praktikat dhe ligjet në Kosovës i obligojnë instucionet që ofertat financiare me i çelë në prezencë të palëve. Dhe, kjo i shton dyshimet mbi korrektësinë e këtij procesi.

Ballkani është bërë njëri prej klubeve më atraktive në Superligën e Kosovës në futboll falë investimeve të mëdha të prijësve të tij. Por, drejtuesit e klubit nga Suhareka po dyshojnë në këtë proces, ndërsa konfirmojnë se nuk janë informuar për asgjë që ka pasur të bëjë me procesin.


“I kemi vërejtjet tona në këtë proces ku nuk ka pasur transparencë. Ofertat nuk janë hapur si duhet. Pastaj, konsideroj se nuk është dashtë të ketë kufizime se kush mund të konkurojë, e kush nuk mund të konkurojë. Eshtë dashtë t’u jepet mundësia të konkurrojnë të gjithë të interesuarit, qofshin ato kompani edhe të jashtme nga Kosova, sepse kështu ndoshta do të kishte ofertues edhe më të madh dhe klubet do të përfitonin më shumë. Ne po presim informata, takim, dhe varësisht se si vendosin shumica e klubeve do të veprojmë edhe ne”, tha për Gazetën Express njëri prej investitorëve më të mëdhenj aktualisht në futbollin kosovar, presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi.

Rreth këtij tenderi sot ka reaguar edhe Trepça ’89 përmes presidentit Abedin Zeka, i cili ka konfirmuar se klubi mitrovicas do të kërkojë ritenderim.

Po ashtu, sqarime dhe transparencë nga FFK-ja ka kërkuar edhe kampionia në fuqi, Drita.

Përpos “Artmotion”, kishte konkurruar edhe “Kujtesa” dhe po ashtu një tjetër media. Kurse, “Digitalbit’ iu kishte pamundësuar konkurrimi për shkak se është subjekt i jashtëm (nga Shqipëria), ndonëse “Digitalbi” në tetë vjetët e fundit rresht e kishte të drejtën e transmetimit të futbollit kosovar. “Digitalb” ka paralajmëruar ankesë në gjykatë dhe UEFA, i bindur në parregullsi.

Përvoja nga e kaluara tregon se klubet mund ta “shkatërrojnë” procesin nëse fituesi është përcaktuar para hapjes së tenderit. Qysh në edicionin 2015-2016 të gjitha klubet ishin bashkë me FFK-në për t’ia shitur drejtat televizive “Digitalbit”.

Por, vetëm FC Prishtina ishte kundër dhe e pakënaqur. Klubi më i madh kosovar ishte ndarë prej 11 klubeve tjera që ishin me “Digitalbin”, duke ia dhënë ndeshjet e saj Radio Televizionit të Kosovës. Dhe, FFK kishte mbetur si spektatore, duke mos arritur ta bindte Prishtinën t’u bashkohet 11 klubeve tjera në “Digitalb”. /GazetaExpress/