Fjalë Kyçe

Pas vizitës në Serbi, Lajçak nuk vjen në Kosovë, kthehet në Bruksel

Pas vizitës në Serbi, Lajçak nuk vjen në Kosovë, kthehet në Bruksel

Pas vizitës së papritur në Serbi dhe takimit të sotëm me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, emisari special i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak është kthyer në Bruksel dhe nuk do të vizitojë Kosovën.

Zëdhënës i Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme e Siguri të BE-së, Peter Stano, konfirmoi për RTK, se Lajçak këtë e bën për shkak të takimeve të nesërme.

Stano tha se Lajçak ka takim me shefat e delegacioneve të të dy vendeve, përkatësisht zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Megjithatë, Stano paralajmëroi vizitë tjetër të Lajçak-ut në rajon.

“Si pjesë e punës së tij, Emisari Special i BE-së do të vizitojë gjithashtu partnerët në rajon”, tha ai, por pa precizuar se kur Lajçak do të vizitojë sërish rajonin apo Kosovën në veçanti.

Ndryshe sot dhe nesër në Bruksel, mbahen takimet e grupeve punuese për çështjen e targave të automjeteve. Më 21 prill skadon afati gjashtëmujor i dakordimit të Kosovës e Serbisë për çështjen e targave, ku pas tensioneve të muajit shtator 2021, ishte vendosur përdorimi i stikersave.