ISIS-i apo ajo çfarë mbetet nga shteti islamik në Siri e Irak, ende nuk ka dalë me ndonjë deklaratë mbi vdekjen e liderit të tij Abu Bakr al-Bagdadi, që hodhi veten në erë gjatë një sulmi nga forcat amerikane në veri të Sirisë të shtunën.
Shumë po përflitet tani mbi pasardhësin e mundshëm të tij. Presidenti Donald Trump shkroi në Twitter të martën se edhe “zëvendësuesi numër një i Abu Bakr al-Bagdadi është elelminuar nga trupat amerikane”. Trump shtoi, “Me shumë mundësi do të kishte zënë vendin e parë- por tani, edhe ai është i vdekur”.
Një zyrtar amerikan i tha CNN “Presidenti po i referohej zëdhënësit të ISIS, Abu Hasan al-Muhajir” – i cili u përshkrua nga një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit të hënën si “lloji i një numri dy” pas Al Abghdadit. Ai u vra në një pjesë tjetër të Sirisë veriore sesa aty ku vdiq Bagdadi, sipas Forcave Demokratike Siriane.
Por ndërsa al-Muhajir ishte një figurë e rëndësishme në përpjekjen për propagandimin e ISIS, disa analistë besojnë se një burrë tjetër – i cili ka të paktën tre pseudonime – është pasardhësi i mundshëm i Bagdadi. Disa dokumente të brendshme të ISIS i referohen atij si al-Haxh Abdullah, një dijetar religjioz mbi kokën e të cilit departamenti i shtetit ka vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh.
Një ekip i AFP-së që arriti të hynte në një burg në Sirinë veriore, ku forcat kurde mbajnë nën kontroll ish-xhihadistë vendas e të huaj, solli dëshmi të njerëzve që tregonin pendim.
“Dua vetëm të dal nga burgu. Të kthehem pranë familjes sime, kaq dua”, shprehet Aseel Mathan, i burgosur nga Britania.
Por një ekip i CNN-it që ka arritur dhe ai të shohë nga afër gjendjen e disa të burgosurve, thotë se një pjesë e madhe e tyre i mbeten besnike organizatës së terrorit dhe sfidues ndaj perëndimit.