Arbër Morinës, iu deshën rreth 24 vjet për ta arritur gradën e kirurgut të përgjithshëm. Shumë mund e sakrifica thotë t’i ketë bërë për të zënë një vend pune në nivelin terciar të shëndetësisë në QKUK, ku, me gjithë mëditje, rroga e tij arrin pak mbi 600 euro.
Por, të punësuarit e një institucioni tjetër shtetëror, nuk duhet të kryejnë kaq shumë mund e shkollë, për të marrë një pagë që nis nga 520 deri në 2,280 euro.
Bëhet fjalë për të punësuarit në Agjencinë e Shërbimit të Navigimit Ajror të cilët përfituan rritje të pagave në këtë fundvit, falë një rregulloreje të brendshme që është miratuar në ditën e fundit të vitit që lamë pas.
Aty specifikohen kodet e pagave për 125 tituj me 22 grada të ndryshme hierarkike, duke nisur nga pozita më e ulët, ajo e pastruesve dhe praktikantëve që paguhen nga 520 euro, për të vazhduar tutje ma atë të shoferit që merr pagë prej 570 eurosh.
E, koeficient pas koeficienti, paga arrin në 2 mijë e 132 euro për menaxheret e zyrës së drejtorit.
150 euro më shumë marrin menaxheret e Departamentit për Cilësi, Siguri dhe Sigurim dhe ai shërbimeve të trafikut ajror dhe departamentit, paga e të cilëve është 2,888 euro.
Por, në këtë rregullore nuk specifikohen rrogat për pozitën e drejtorit dhe zëvendësdrejtorëve operativë dhe atij financiar.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se puna e ASHNA’s ka specifikat e saj të rëndësishme, por ka pranuar që nuk e di se ata kanë marrë vendim të ri të rritjes së pagave.
Ai është shprehur se për këtë arsye ka bërë ligjin e pagave, për t’i ulur pakënaqësitë brenda atyre që paguhen me paratë e shtetit, e që mendon se më të privilegjuarit do të jenë kirurgët.
Por, pikërisht për koeficientet e caktuara me ligjin e pagave kanë hyrë në grevë kirurgët.
Kirurgu Morina thotë se përcaktimi i koeficientit 5 është fyes për ta.
Grevës dhe pakënaqësive për ligjin e pagave që ende nuk është miratuar, i janë shtuar edhe mësimdhënësit.
Këta të fundit kërkojnë rritjen prej 30 përqind të koeficientit të përcaktuar me këtë ligj.
Punëtorët e ASHNA’s nuk janë të përfshirë në ligjin e pagave, për shkak të punës specifike që sipas qeverisë ata bëjnë.