Fjalë Kyçe

PD po keqpërdor Metën, si Gogol për Perëndimin

PD po keqpërdor Metën, si Gogol për Perëndimin

Autor: Mero Baze

Lulzim Basha po miraton në heshtje qëndrime anti-perëndimore të Ilir Metës. Vet ka bërë kujdes të mos arkivohet asnjë frazë e tij kundër SHBA, kundër aluçinacionit të epokës, Xhorxh Soros, apo kundër diplomatëve perëndimore në Shqipëri.

Ka lëshuar përpara Ilir Metën dhe Sali Berishën, njëri si kamikaz që po kërkon heronj të ngjashëm në historinë botërore dhe shqiptare, me shpresë se do të jetë edhe hero, edhe do ta shikojë lapidarin.

Tjetri po turfullon si ujk i vjetër, që ka prodhuar plot viktima të tilla në jetën e tij politike, me këto historitë anti-perëndimore.

Të dy bashkë, Meta në pushtet e Berisha në zyrën private, po përpiqen të marrin përsipër rolin e gogolit për Perëndimin në Shqipëri, duke shpresuar se një ditë ata do t’i kërkojnë ndihmë Bashës e Kryemadhit, të marrë fund kjo marrëzi.

Në fakt, këtu gabojnë në gjithë llogaritë.

E para, Perëndimi e di sa këllqe ka Berisha e Meta për të udhëhequr një lëvizje haxhiqamiliste anti-perëndimroe në Shqipëri. Biles ata po e stimulojnë shpërthimin e tyre, për t’i izoluar nga shqiptarët si të tillë.

Është e dukshme se asnjë diplomat perëndimor nuk u shqetësua nga shpërthimi i kontrolluar i Ilir Metës kundër Perëndimit dhe askush nuk e hëngri presionin e tij, përveçse filluan të qarkullojnë anektoda me njëri- tjetrin, se mos ishte ndonjë sozi e presidentit.

Për Berishën janë po ashtu aq të qartë.

Qëndrimi në heshtje i Bashës dhe ideja se ai do ta kalojë këtë krizë duke përdorur Metën si “të keqin” dhe veten si “të mirin”, është po ashtu aq naiv dhe i lexueshëm, sa më shumë ngarkesë negative merr Basha, se sa Meta e Berisha, që kanë nisur aktrojnë si anti-perëndimorë.

Në fakt, ajo që po tenton Ilir Meta nuk është ndonjë gjë e panjohur. Tendenca e tij për të marrë një pozicion të ri politik, duke u futur nën ombrellën e Internacionales së autokracive lindore, ku filozofia e re është anti-soroizmi i shpikur, qëndrimet anti- BE, përpjekja për të krijuar një lloj sovraniteti anti-perëndimor me qëllim që Perëndimi të mos ndikojë në fatet e tyre politike dhe refuzimi me çdo mjet i reformës në drejtësi, që në fakt kontrollohet realisht nga Perëndimi, janë një profil i ri politik në Shqipëri.

Ilir Meta është i pari që po guxon ta marrë këtë pozicion. Nuk mendoj se e ka keq për një parti të vogël populiste, edhe pse atij shumë pak vetë ja besojnë tashmë ato që thotë e bën. Por nuk është pa të ardhme si lëvizje politike.

Problemi është se forca të tilla të ngjashme në Perëndim, i përfaqësojnë njerëz të rinj, pa implikime të së shkuarës, dhe janë ende pakicë. Në Lindje i përfaqësojnë dhe parti në pushtet si Orban në Hungari, ishte Gruevski, apo autokratë të tjerë të ish- Bashkimit Sovjetik.

Përpjekja e Lulzim Bashës për të trembur Perëndimin me këtë tendencë të re që ai ja ka caktuar dy aktorëve më të vjetër të keqpërdorur të politikës shqipare, Berishës dhe Metës, është një lojë e lexueshme për çdo diplomatë perëndimorë në Tiranë.

Problemi që ka Basha në këtë histori është se ata jo vetëm që nuk shqetësohen nga kjo shkarje anti-perëndimore e Metës dhe Berishës, por janë të kënaqur t’i klasifikojnë si të tillë.

Ajo që Basha nuk fiton dot nga kjo histori, është që Perëndimi ta marrë seriozisht këtë lëvizje, dhe të shpresojë, se se Basha do ta ndryshojë historinë. Ai nuk ka leje për këtë. Ka leje vetëm të bëjë sikur nuk ka çfarë t’i bëjë Berishës e Metës.

Si i tillë ai sa i torturon kot Metën e Berishën si anti-perëndimorë me shpresë se do duken si gogol. Janë thjesht si dy dordolecë që trembin laraskat dhe bëjnë për të qeshur çdo perëndimor.

(Gazeta Tema)