Anëtarët e Komisionit Hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati dhe Bekim Haxhiu, kanë kundërshtuar vendimin e Qeverisë për të subvencionuar prindërit për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre.
Sipas tyre, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti po përdorë “dhunë psikike” ndaj prindërve me këtë vendim.
Nënkryetari i këtij komisioni, Ardian Kastrati, ka akuzuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për keqpërdorim.
“Ministrja e Arsimit, Nagavci duke e shkel ligjin dhe pa u futur në procedura të rregullta tenderuese, siç e parashikon ligji, e ka marr prapë vendimin e njëjtë që me shku me modelin e njëjtë të subvencionimit të teksteve dhe mjeteve shkollore për arsimin fillor. Ne përveç që mendojmë se është shkelje e rëndë gjithashtu dëshirojmë të tërheqim vëmendjen e një trajektore të zhvillimit të ngjarjeve të cilat i kanë parapri këtij procesi, për të cilat than se janë shkelje të jashtëzakonshme ligjore”, tha Kastrati, raporton “KosovaPress”.
Sipas Kastratit përgjegjësi kryesor për këtë situatë është kryeministri Albin Kurti.
“Në Komisionin Hetimor ku kanë rapotu me dhjetëra drejtorë të drejtorive komunale nga të gjitha komunat e Kosovës pothuajse janë raportu shumë raste ku ka përfundu viti shkollor e ka raste që nuk i kanë marr tekstet shkollore hiq. E mos të flasim ju si prind keni hequr para librarive për t’i marrë ato tekste. Kjo krejt për me bo një eksperiment që do Arbërie Nagavci për me ju fut një aventure e cila për mu bën dhunë psikike dhe fizike ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Përgjegjësi kryesor është Albin Kurti. Gruaja e Albin Kurtit a do të pret nëpër librari sikur prindërit e tjerë që kanë me prite me orë të tëra në temperaturë mbi 30 gradë. Një njeri që thotë se këtu ka mirëqenie, ka avancim në arsim, që ekonomia po lulëzon le ta sjellë së pari me përjetu familja e vet këtu fatin e krejt këtyre të tjerëve se sa këtu ka mirëqenie, sa është ekonomia e arsimi në rregull”, tha ai.
Kastrati po ashtu tha se krahasuar me vitet paraprake, vitin e kaluar janë shpenzuar 7 milionë euro më shumë për subvencionimin e teksteve shkollore.
“Kur flasim te keqpërdorimet nga 4 milionë e 300 mijë të planifikume këta me ndërrimin e modelit të subvencionimit vjet i kanë shpenzuar 11 milionë e 600 mijë euro, vetë e ka thënë Nagavci…. pra 7 milionë euro më shumë sesa në të kaluarën e diku rreth 100 mijë nxënës më pak, sepse më 2015, 2016, 2017 numri i nxënësve ka variuar nga 247 mijë në 250 mijë, kurse ky subvencionim vitin e kaluar me 7 milionë euro më shumë, 11.6 milion euro që kjo i ka marrë nëpër gjitha linjat buxhetore, është për 100 mijë nxënës më pak. Prandaj ne kemi bërë ftesë se këtu ka punë Prokuroria Speciale. Duhet të hetojmë ku janë shku këto miliona sepse nuk po dihet ka janë shku”, th ai duke shtuar se i kanë lënë shkollat “pa digjitalizim”.
Edhe Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së tha se prokuroria e Kosovës me urgjencë duhet të veprojë dhe ndalojë këtë keqpërdorim.
Po ashtu ai ka përmendur se ka diferencë në çmime të librave të cilat sipas tij nuk janë të njëjtë si për klasën e parë si për të 5-tën. Diferencën e çmimit sipas Haxhiut janë detyruar prindërit ta paguajnë vet.
“Bazuar në hetimin parlamentar, që e kemi pa për njoftimin tuaj të gjithë nxënësit nuk janë subvencionuar vitin e kaluar, përtej kësaj kemi pas edhe subvencionime edhe furnizime me tekste të dyfishta, pabarazi dhe diskriminim dhe pamundësi e grupeve të margjinalizuara që të aplikojnë në E-Kosova dhe këtu pastaj ka ndodh që një pjesë e komuniteteve të marrin libra falas donacion e të njëjtit të përfitojnë edhe nga subvencionimi. Dhe çmimi i njëjtë sikur për klasën e parë sikur për klasën e 5-të nuk kushtojnë njëjtë”, shtoi Haxhiu.
Haxhiu shtoi se procesi i intervistimit të dëshmitarëve do të vazhdojë më 9 shtator kur Kuvendi ta fillojë punën.
Sipas tij deri tani ka pasur shkelje ligjore, derisa ka njoftuar se nga Qeveria kanë kërkuar listën e atyre që janë subvencionuar por që sipas tij Qeveria ka hezituar t’ia japë atë informacion.