Fjalë Kyçe

PDK-ja akuzon VV-në për degradim urban dhe të ambientit në Prizren

PDK-ja akuzon VV-në për degradim urban dhe të ambientit në Prizren

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, vlerëson se qeverisja lokale në këtë qytet gjatë kohës së pandemisë ka bërë shumë gabime.

Kryetari i PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, në një konferencë për media të premten, ka përmendur disa vendime, të cilat sipas tij, janë marrë në kohën e pandemisë e që janë në dëm të qytetarëve.

“Qeverisja lokale në Prizren, e udhëhequr nga VV-ja, edhe gjatë fazës së pandemisë, ka bërë shumë gabime. Gjatë kësaj faze, kemi qenë më të rezervuar në të bërit opozitë, por me qëllim të mbrojtjes së interesit publik, ne do të vazhdojmë denoncimin e dukurive negative”, ka thënë Totaj.

Sipas tij, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka shkaktuar degradim urban dhe të ambientit.

“Një nga dukuritë negative që është në rritje e sipër, është edhe ndërtimi i të ashtuquajturave vila, të cilat tashmë janë ndërtuar në shumë lokacione në territorin e Komunës së Prizrenit. Ky fenomen i degradimit urban, ka vazhduar edhe gjatë kohës së pandemisë, që është paradoks i llojit të veçantë dhe në vijim do të paraqesim rastin më të ri, që po ndodh këto ditë”, ka thënë ai.