LDK e ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ku në plan ishte shqyrtimi i tri projektligjeve, njëri për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit në Kosovë, njëri për masat e përkohshme për të lehtësuar efektin e pandemisë si dhe atë për menaxhimin e financave.
Para mediave, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se Kuvendi s’mund të marrë vendim për këto ligje, shkruan lajmi.net.
Sipas tij, këto nisma duhet të ndërmirren nga qeveria.
“Jemi në një situatë ku Kuvendi nuk mund të marrë vendim për këto ligje. Problemi shtesë që ka ligji për ndarjet buxhetore. Këtë nismë mund ta marrë vetëm qeveria e Kosovës. Kuvendi mund ta plotësojë, ndryshojë apo ta refuzojë në tërësi, mirëpo jo të marrë iniciativë”, tha ai.
Gashi po ashtu foli edhe për krijimin e qeverisë së re, për të cilën tha se është obligim tashmë i kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.
Nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, Gashi tha se mandati duhet t’i jipet dikujt tjetër.
“E ka fut vendin në krizë politike. E drejta e tij tanimë është obligim. Ai duhet të provojë të krijojë shumicë. Nëse nuk don të krijojë shumicë, kjo e drejtë duhet t’i kalojë dikujt tjetër”, tha Gashi.