Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë të tërheqë prapa propozimin për ngritje të çmimit të energjisë elektrike, të cilin kjo parti po e konsideron të ndikuar politikisht nga Qeveria e Kosovës.
ZRRE-ja javë më parë propozoi ngritje të çmimit të energjisë, pas krizës që ka kapluar vendin. Propozimi është kundërshtuar ashpër nga opozitarët, ndërsa Qeveria ka thënë se do t’i ndajë 75 milionë euro për të subvencionuar pagesën e rrymës për qytetarët.
“Konsistenca e Partisë Demokratike vazhdon edhe më tutje, sepse konsiderojmë që nuk është koha, rrethanat, dhe as mënyra e duhur për rritjen e çmimit të energjisë. Këtë konstatim e arsyeton situata e inflacionit të lartë, situata e pandemisë, situata e sezonit dimëror, ku qytetarët dhe gjithë taksapaguesit janë shumë të rënduar për shkak të këtyre faktorëve. Qeveria e Kosovës në vend që të sjellë alternativa të daljes nga krizat, ajo ka kundërshtuar dhe vazhdon të kundërshtoj projektet alternative energjetike, i tha JO gazit Amerikan, i tha JO investitorëve strategjik të energjisë së erës, i tha JO të gjitha burimeve tjera alternative”, ka thënë deputeti i PDK-së, Ferat Shala, në një konferencë për media të mërkurën.
Sipas Shalës, raporti “i përbashkët Qeveri-ZRRE për ngritjen e çmimit të energjisë, i prezentuar përmes raportit konsultativ, është manipulativ në shifra dhe në përmbajtje, është i paligjshëm dhe diskriminues”.
“Si asnjëherë deri më tani, raporti konsultativ i Qeverisë dhe ZRRE-së, lë jashtë kufinjëve 4 komunat e vendit duke mos i përfshirë në ngritjen tarifore që ka paraparë për pjesën tjetër të vendit. Pra kjo ndarje është e papranueshme dhe e paligjshme. Kjo është pabarazi e lartë mes qytetarëve të Republikës sonë. Kjo Qeveri po heq dorë nga shtrirja e sovranitetit energjetik shtetëror, e në anën tjetër në kurriz të taksapaguesve të pjesës tjetër, paguan shpenzimet qindra milionëshe të pjesës veri”, ka thënë Shala.