Fjalë Kyçe

PDK-ja premton vetting në drejtësi në 100 ditët e para

PDK-ja premton vetting në drejtësi në 100 ditët e para

Abelard Tahiri, ish-ministër i Drejtësisë, ka thënë se nëse PDK-ja vjen në pushtet për 100 ditët e para të pushtetit do të bëjë hartimin e bazës ligjore për vettingun në drejtësi.

Sipas tij, pa përfunduar procesi i rishikimit të plotë funksional s’mund të fillojë procesi i vettingut. Ai ka thënë se duhet të punohet në hartimin e mekanizmave që në bazë të rregullta do të bënin verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas tij, për këtë Kosovës i duhet ndihmë nga ndërkombëtarët.

Në prezantimin e programit të PDK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit, Tahiri ka thënë se procesit të vettingut do të ishte korrekte t’i nënshtroheshin edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, “gjithçka që ka ndodh e mirë në Kosovë në sistemin e drejtësisë, ka ndodh për shkak të angazhimit të PDK-së”. Avokati Taulant Hodaj tha se ligjet në Kosovë janë të mira porse nuk është bë analizë e tyre për t’iu përshtatur Kosovës.

“Kemi ligje të mira dhe praktika por nuk janë analizuar dhe nuk i janë përshtatë kontekstit të Kosovës. Kanë ardhë kërkesa nga BE, është dashtë të bëhen por nuk ka pasë analizë të tyre”, tha ai.

Njohësi i sistemit të drejtësisë nga IKD, Ehat Miftaraj, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës gjatë qeverisjes së saj ka miratuar ligje të mira për vendin, porse të njëjtat i ka shkelur vetë.

Ai tha se nuk po ka rezultate të mirëfillta nga lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Abelard Tahiri ka miratuar ndër dy ligjet më të mira, ai për parandalimin e konfliktit të interesit dhe Ligji për mbrojtje të sinjalizuesve. Por praktikë interesante e tij ka qenë që nga njëra anë derisa e miratoi Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, i njëjti u kujdes që brenda javës ta shkelë atë. Kosova po vuan nga luftimi i krimit të organizuar, korrupsioni apo rezultatet nga kjo luftë”, tha ai.

Miftaraj përballë ish-ministrit të Drejtësisë nga kjo parti, Abelard Tahirit, në debatin “Zgjedhjet në Kohë” ka përmendur ligjin konkret që u shkelë në kohën kur Tahiri ishte ministër.

“Tahiri e miratoi një ligj jashtëzakonisht të mirë ku ua ndalon zyrtarëve publik të mos kenë më shumë se një pozitë udhëheqëse në sektorin publike, ndërkohë që e shkeli këtë me Lumezin duke e propozuar edhe në pozita të tjera, në shtatë pozita. Prokurorët, gjyqtarët duhet të punojnë vetëm një punë”, tha ai.

Sipas Miftarajt, ajo që duhet të ndodhë në Kosovë, “është të ndryshoj vullneti politik që ta ndalojnë ushtrimin e ndikimit në pavarësinë e institucioneve të drejtësisë”.