Asamblistët komunal të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) janë deklaruar kundër draft dokumentit të Planit Zhvillimor të Komunës (PZHK).
Shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se në këtë dokument kanë hasur në 28 shkelje ligjore.
Por, siç tha ai, pavarësisht se në këtë plan ka shkelje serioze, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama insiston që ta shtyjë agjendën e tij të pronave përpara.
“Duke analizuar dokumentin e Planit Zhvillimor të Komunës kemi hasur në 28 shkelje serioze ligjore. Megjithatë, Përparim Rama ka insistuar që ta shtyjë agjendën e tij të pronave nëpërmjet PZHK-së”, tha Retkoceri.
Ai po ashtu theksoi se PDK-ja është kundër këtij plani, për të cilin tha se “akomodon grupet e caktuara të bizneseve e ndëshkon qytetarët e Prishtinës për 10 vitet e ardhshme”.
“PDK është kundër Planit Zhvillimor të Komunës të Përparim Ramës me shkelje ligjore që akomodon grupet e caktuara të bizneseve e ndëshkon qytetarët e Prishtinës për 10 vitet e ardhshme”, ka thënë ndër të tjera Retkoceri.
Edhe asamblistët komunal të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë kanë ritheksuar sot se nuk do të votojnë pro draft dokumentit të Planit Zhvillimor të Komunës (PZHK), pasi siç thonë ata ka shumë mangësi dhe se është në dëm të qytetarëve.
Ndryshe, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka akuzuar sot Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Kosovës se u bënë bashkë për të bllokuar vënien në diskutim publik të Planit Zhvillimor të Prishtinë.