Fjalë Kyçe

PDK me reagim të ashpër ndaj Rekës që tha se Kosova mund t’i sigurojë Serbisë dalje në det

PDK me reagim të ashpër ndaj Rekës që tha se Kosova mund t’i sigurojë Serbisë dalje në det

PDK-ja e sheh të ngjashme me planet e “ideologëve serbomëdhenj” idenë e ministrit Blerim Reka për dhënien e daljes më det për Sërbinë si kompromis për marrëveshje. Partia e Kadri Veselit kërkon nga Kryeministri Kurti shkarkimin e Rekës.

Ministri për Integrime Evropiane, Blerim Reka, ka thënë dje se kompromisi më i madh që Kosova do të mund të bënte për marrëveshje me Serbinë, është t’ia sigurojë daljen në det.

Partia e Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, e ka dënuar këtë deklaratë të Rekës.

“Partia Demokratike e Kosovës e konsideron tepër shqetësuese dhe të rrezikshme idenë e promovuar nga Qeveria e Albin Kurtit, përkatësisht Ministri i tij Blerim Reka, me të cilën do t’i bëhej një favor jashtëzakonisht i madh shtetit serb, ndërsa do të rrezikohej ekzistenca e shtetit të Kosovës. Si kompromis për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Ministri i Vetëvendosjes ka propozuar që Serbisë t’i hapet korridori për daljen në Detin Adriatik”, thuhet në komunikatën e PDK’së.

Sipas PDK’së, ideja e ministrit Reka është e krahasueshme në projektet dhe përpjekjet historike të Serbisë për ta zhbërë Kosovën.

“Kjo ide e Ministrit të Vetëvendosjes është rehabilitim i të gjitha përpjekjeve historike serbe, që nga Naçertanje, luftërat ballkanike, projektet e Nikola Pashiqit, Jovan Cvijiqit, e Ivo Andriçit, për ta zhbërë jo vetëm Kosovën, por edhe shtetin shqiptar”.

“Ideologu serbomadh Cvijiq, duke dashur ta arsyetonte aneksimin e Shqipërisë së Veriut dhe daljen në Detin Adriatik, e kishte quajtur këtë hap si interes ekonomik dhe domosdoshmëri anti-etnografike”.

PDK’ja thotë se Vetëvendosje po mundohet ta realizojë atë që nuk kanë arritur ta bëjnë “ideologët serbomëdhenj”

“Me një fjalë, atë që nuk kanë mundur ta bëjnë ideologët serbo-mëdhenj, që ishte përpjekje shekullore serbe për të dalë në Detin Adriatik, po mundohet ta realizojë një parti e vetëquajtur nacionaliste – Vetëvendosje”.

“Ky propozim është anti-kombëtar. I rrezikshëm në përmbajtje për kombin shqiptar, mohues për shtetin e Kosovës dhe nxitës i realizimit të aspiratave historike serbe për krijimin e Serbisë së Madhe, me qasje në Detin Adriatik”.

Në fund, PDK’ja kërkon nga kryeministri Kurti shkarkimin e ministrit Reka.

“PDK nuk do ta lejojë asnjë ide që cenon shtetin dhe sovranitetin e Kosovës. Kryeministri Kurti duhet urgjentisht të reagojë me shkarkimin e menjëhershëm të Ministrit Blerim Reka dhe të distancohet nga një qëndrim i tillë anti-kombëtar”, thuhet në komunikatë.