Fjalë Kyçe

PDK: Për rimëkëmbje ekonomike nevojiten një miliard e gjysmë euro

PDK: Për rimëkëmbje ekonomike nevojiten një miliard e gjysmë euro

Partia Demokratike e Kosovës, thotë se ekonomia e vendit tonë është buzë greminës si shkak i qeverisë Kurti dhe një pjesë te asaj të Hotit. Sipas PDK-së, qeverisja e kaluar ka braktisur sektorin privat, me këtë po thuhet se 150 mijë qytetarë janë zhytur në varfëri.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj të shtunën tha se shteti i Kosovës duhet të jetë i gatshëm për 1, 5 miliard euro për rimëkëmbje ekonomike.

“Në mungesë të një plani efikas e konkret, Qeveria Kurti e përberë nga VV dhe LDK, ofruan një Pako emergjente financiare më të varfër në rajon – prej 179 milionë euro, ku në praktikë u realizua vetëm 30%. Në këto momente, shumica e vendeve të rajonit dhe botës kanë miratuar një pakon e dytë gjithëpërfshirës për rimëkëmbjen ekonomike. Si rezultat i keq-menaxhimit, shteti i Kosovës duhet të jetë i gatshëm që t’i ndajë mbi 1.5 miliard Euro për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit. Andaj, ne ftojmë Qeverinë e re që sa më parë t’i propozoj Kuvendit të Republikë së Kosovës, planin me masat konkrete për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit”, tha Totaj.

Deputeti opozitar theksoi se qeveria e re duhet të ketë  fokus interesin e të gjithë të punësuarve në sektorin privat, bizneset dhe të gjitha skemat sociale pa dallime.

Për këtë edhe kanë përmendur edhe disa elemente, që sipas tyre do të ndalonin humbjet e sektorit privat.

“Të jetë në përputhje me nevojat e vërteta të ekonomisë së tregut, duke stimuluar likuiditetin e ndërmarrjeve dhe shtimin e aktivitetit ekonomik. Të jetë lehtë i zbatueshëm dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Të jetë i fokusuar në ndihmën e ndërmarrjeve që kanë rrezikshmëri të lartë për falimentim, sipas vlerësimit të Bankës Botërore. Të ketë për bazë barrën financiare që kanë sektori privat dhe punëtorët e saj te institucionet financiare, duke ofruar mundësi mbështetje të drejtpërdrejt për uljen e barrës së obligimeve bankare deri në stabilitetin e tyre”, shtoi ai.

Ndërkohë që sipas tij duhet të ofrohen edhe lehtësime në afate dhe mënyrën e pagesës së tatimeve, duke përfshirë shqyrtimin e mundësisë së heqjes së ndëshkimeve.

E po ashtu që t’i mundësohet biznesit pagesa e tatimit në fitim sipas mundësisë përgjatë një viti fiskal, e jo si pagese e njëhershme.