Dy nënkryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku e Enver Hoxhaj, kanë reaguar pas seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të kërkuar nga Serbia pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re të BQK-së që e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë.
Hoxhaj, i cili është edhe deputet i PDK-së në Kuvend, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për politikë të gabuar. Sipas tij Qeveria Kurti ka bërë që fuqitë perëndimore të pajtohen më Rusinë e Kinën, gjet ë cilën sipas tij nuk e bëjnë për asnjë temë.
“Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së fuqitë kryesore perëndimore si SHBA-ja, Britania dhe Franca, nuk pajtohen për asnjë temë ndërkombëtare me kundërshtarët e tyre lindorë, Rusinë dhe Kinën, por një politikë e brendshme dhe e jashtme e gabuar e Qeverisë Kurti ka bërë që të gjithë të pajtohen që të thirret mbledhja e Këshillit të Sigurimit e kërkuar nga Serbia, gjë që tregon se sa keq qëndron ndërkombëtarisht Republika e Kosovës si një vend pa drejtim dhe pa orientim.
Ndërkohë Çitaku në një status në Facebook ka kritikuar Qeverinë e Kosovës duke thënë se fjala e Kosovës në OKB ka rendësi nëse mbështetet nga aleatët.
Ajo ka thënë se duhet të dëgjohen edhe fjalimet e aleatve të Kosovës, përfshirë SHBA-në, shumica e të cilëve edhe në këtë seancë kërkuan shtyrje të zbatimit të vendimit të BQK-së.
“Kuptojeni, në OKB rëndësi ka fjala jonë nëse e mbështesin aleatët. Dëgjojeni fjalimin e ambasadores së SHBA-së. Dhe aleatëve tanë. Mjerim dhe marrëzi që Qeveria jonë e solli punën në këtë pikë. Sa më pak që të flitet në KSOKB për ne, aq më mirë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.