Fjalë Kyçe

Peja triumfon ndaj Rahovecit dhe kualifikohet në finale të Ligës Unike

Peja triumfon ndaj Rahovecit dhe kualifikohet në finale të Ligës Unike

Në një ndeshje dramatike, Peja ka shënuar fitore ndaj Rahovecit 71-73 (17:15, 16:20, 13:30, 25:8), në gjysmëfinale të Ligës Unike.

Ndeshja në fakt nisi e baraspeshuar dhe në çerekun e parë asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej, derisa kjo pjesë përfundon 17:15. Luftë për çdo top u zhvillua edhe në periudhën e dytë, ku pejanët ishin për një nuancë më të mirë, duke e fituar këtë pjesë 16:20, duke shkuar në pushim me shifrat 33-35.

Në periodën e tretë, verdhezinjtë dominuan totalisht, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Me kalimin e minutave pejanët thelluan epërsinë, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 46:65.

Por, Rahoveci nuk u dorëzua, duke u rikthyer fuqishëm. Vreshtarët ngushtuan shifrat në 63:67, vetëm 3 minuta nga fundi, me një seri të suksesshme prej 17:2.

Deri në fund u zhvillua ndeshje dramatike, ku 10 sekonda nga fundi pranë rezultatit 71-73, Rahoveci kishte aksionin e fundit, por një super bllokadë nga Lis Shoshi dhe huqja e Darell Davis, bëri që Peja të kalojë në finale, ku e pret fituesin e ndeshjes Goga Basket-Golden Eagle Ylli.

Te Rahoveci u dallua Darell Davis me 35 pikë, kurse te Peja u dalluan Brandon Walters me 20 pikë e 11 kërcime, Lis Shoshi me 18 pikë e 10 kërcime dhe Aj Walton me 18 pikë e 8 kërcime.

Të mërkurën (nesër) do të zhvillohen ndeshjet për vendin e tretë dhe finalja e madhe.