Fjalë Kyçe

Pejanët nuk respektojnë masat, rrezikon të kthehet koronavirusi

Pejanët nuk respektojnë masat, rrezikon të kthehet koronavirusi

Vendi ende gjendet në situatën emergjente dhe masat për parandalimin e shpërhapjes së virusit COVID-19 ende janë në fuqi, por të mërkurën këto masa nuk janë zbatuar nga qytetarët e Pejës. Ata para sporteleve në Administratën Komunale të Pejës kishin krijuar tollovi, pavarësisht njoftimit në derë që ka vendosur komuna për mbajtjen e distancës, maskave dhe dorëzave.

Në një deklaratë për KOHËN, drejtori komunal i Shëndetësisë, Petrit Loci, ka thënë se përgjegjës për respektim të masave në këtë objekt është ekipi i sigurimit.

“Natyrisht që duhet me pas respektim të masave dhe për këtë është përgjegjës sigurimi i objektit, të cilët janë të thirrur që të mbajnë rregull dhe disiplinën në objektet administrative komunale. Dhe kjo absolutisht nuk është e tolerueshme”, ka thënë Loci.

Njëri prej punëtorëve të sigurimit, duke mos pranuar të flasë publikisht, u arsyetua se disa herë u kanë thënë qytetarëve që të mbajnë distancë, por sipas tij, qytetarët nuk i përfillnin urdhrat.

Tollovia, që ishte krijuar edhe nga qytetarët që kishin ardhur për të marrë dokumentet e nevojshme komunale për regjistrimin e automjeteve, e ka zënë komunën me staf dhe orar të reduktuar të punës, me të cilin është duke punuar nga mesi i marsit shkaku i pandemisë.

Drejtori i Administratës Komunale, Fatmir Asllani, ka thënë se nga dita e enjte, Komuna e Pejës i kthehet punës me staf dhe orar të plotë të punës në të gjitha shërbimet.

“Prej ditës së nesërme do të fillojmë me kapacitetin e plotë të punës dhe do të jemi gjatë gjithë orarit të punës në shërbim të qytetarëve, në mënyrë që këto kërkesa të mos i lëmë të grumbullohen, sikur ditën e sotme, që po shihet numër kaq i madh i qytetarëve që po frekuentojnë në objektin e administratës komunale”, është shprehur drejtori i Administratës Komunale, Fatmir Asllani teksa ka njoftuar për një plan të ri veprimi për të menaxhuar situatën.

“Në koordinim me sigurimin dhe shefin e personelit, do ta bëjmë një plan të veprimit, që nga dita e nesërme të krijojmë një radhë edhe jashtë nëse është nevoja, pasi që ka kaq shumë kërkesa, dhe besoj që do ta menaxhojmë situatën pasi kemi kapacitet të mjaftueshme të menaxhojmë, përpos ditës së sotme që jemi me staf të reduktuar dhe me orar po ashtu të reduktuar”.

Prej fillimit të pandemisë, në komunën e Pejë janë diagnostikuar 74 raste me COVID-19, prej të cilëve dy kanë vdekur dhe aktualisht janë vetëm edhe pesë raste aktive, që janë në pritje të ritestimit. Në kë të komunë nuk ka raste të reja me COVID-19 më tepër së dy javë.