Sulmuesi i Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo dhe partnerja e tij, Georgina Rodriguez, e morën mbrëmë një goditje të rëndë kur foshnja e tyre e porsalindur ndërroi jetë.
Legjenda e futbollit kishte njoftuar në tetorin e kaluar se po priste binjakë, por mbrëmë tregoi se njëra prej bebeve i vdiq, shkruan “Gazeta Express”.
Çifti e bëri një postim në rrjetet sociale duke e konfirmuar vdekjen e birit të tyre të sapolindur duke e konsideruar këtë si dhimbjen më të madhe të jetës, ndërsa shtuan se fatmirësisht bebja e tyre vajzë mbijetoi.
Goditje të rëndë kanë pësuar edhe familjarët e Ronaldos, të cilët bënë postime prekëse për humbjen e djalit të porsalindur.
Gjithashtu, edhe klubi i tij, Manchester United doli me një komunikatë, duke shkruar se familja e këtij klubi e bashkë ndjen dhimbjen me CR7.
Ndër të tjera, edhe shokët e skuadrës, Marcus Rashford, David de Gea e Alex Telles u përgjigjën me “emoji” me zemra, duke e dërguar mbështetjen e tyre për yllin portugez.
Edhe legjenda e futbollit, Pele, e ngushëlloi 37 vjeçarin për humbjen e rëndë që e përjetoi mbrëmë.
Po ashtu, edhe legjenda e atletikës, Usain Bold i kishte disa fjalë për shokun e tij, Cristiano Ronaldo, e gjithashtu dhe sprinteri tjetër xhamajkan, Yohan Blake.
Përpos futbollistëve, sportistëve dhe personave të tjerë të famshëm, edhe klubet e Premierligës e shfrytëzuan Twitterin për t’i ngushëlluar Ronaldon dhe Georginan.
Edhe La Liga përmes llogarisë së saj në Twitter e bëri të njëjtën gjë, shkruan “Gazeta Express”.
Georgina dhe Cristiano e kanë së bashku vajzën trevjeçare, Alana.
E ylli i Manchester United po ashtu e ka djalin, Cristiano Jr., 11 vjeç dhe binjakët Eva e Mateo, katër vjeç.
Çifti është së bashku që nga viti 2016.