Fjalë Kyçe

Për asfalt rreth 2.5 milionë euro, e asnjë cent ndihmë qytetarëve dhe bizneseve që kanë pësuar nga pandemia

Për asfalt rreth 2.5 milionë euro, e asnjë cent ndihmë qytetarëve dhe bizneseve që kanë pësuar nga pandemia

Komuna e Pejës për vitin 2021 ka planifikuar të shpenzojë 7 milionë e 997 mijë euro për investime kapitale në projekte të fushave të ndryshme. Një të tretën e këtij buxheti komuna ka vendosur ta shpenzojë për projekte rrugore. Konkretisht 2 milionë e 435 mijë euro për 30 projekte të asfaltimit të rrugëve në qytet dhe fshatra, si dhe ndërtimin e katër rrugëve në Rugovë. Por për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset e dëmtuar nga pandemia, komuna nuk ka ndarë asnjë shumë të veçantë.

Me këtë politikë të shpenzimeve të shumave të mëdha në asfalt Komuna e Pejës ka vazhduar sikur vitet e kaluara, pavarësisht se ende mbizotëron periudha e pandemisë. Kjo qasje e komunës për shpenzimin në asfalt të gjitha këtyre mjeteve të taksapaguesve në kohë pandemie, konsiderohet absurde dhe e pakuptimtë nga këshilltari i pavarur në Kuvendin Komunal të Pejës, Gzon Berisha, i cili kritikon komunën që në këtë periudhë kur shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve është më e rëndësishme se asfalti, është dashtë të sakrifikohen për sivjet projektet rrugore për të ndihmuar njerëzit por edhe bizneset që kanë pësuar nga pandemia.

“Në këtë gjendje në çfare jemi, është tmerr me shku krejt ai buxhet. Po shihet që është për interesa të klaneve për me u dhënë punë njerëzve, kompanive që i konsideron të afërta me LDK-në dhe për fushatë me ua çu njerëzve asfaltin deri te dera e me marrë vota”, akuzon Berisha komunën që në këtë situatë të vështirë pandemie prioritet ka më shumë votat në vitin e zgjedhjeve lokale sesa mirëqenien e qytetarëve.

Berisha akuzon komunën se nuk ka ndihmuar as vitin e kaluar qytetarët e prekur me Covid, qytetarët e varfër që nuk kanë pasë mundësi të paguajnë tretmanin mjekësor.

“Unë kam qenë kundër aprovimit të buxhetit, sepse kam kërkuar që të ndahen mjete enkas për të prekurit nga Covidi dhe për bizneset. Ka shumë që nuk janë në gjendje me pagu shërimin. Komuna nuk ka bërë gjë për të prekurit me Covid e as për bizneset. Nuk e di a po i shikon dikush komunat tjera. Ka shumë komuna më të vogla dhe me buxhet më të vogël se komuna e Pejës që kanë ndarë mjete edhe për biznese edhe për të sëmurët me Covid. E komuna e Pejës me tërë atë buxhet që e ka pas nuk s’ka bërë asgjë. Është absurde që gjithë ai buxhet me shku në asfalt në mes të pandemisë”, thotë Berisha.

E në komunë mohojnë pohimet e Berishës qëllimisht i kanë orientuar për asfalt një të tretën e buxhetit të investimeve kapitale. Drejtori i Financave, jeton Abazaj, pohon se komuna nuk mund ti lenë anash projekte rrugore dhe ato mjetet t’i orientojnë pastaj për ndihma të qytetarëve dhe bizneseve, me arsyetimin se janë disa kritere që nuk përcaktohen nga komuna, por nga niveli qendror dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

“Aktualisht është problemi i kategorive ekonomike, se nuk varen nga komuna e Pejës, Për shembull, sipas parashikimeve të fundit monetar ndërkombëtar, e kemi obligim që së paku 30 për qind e buxhetit të shkon në kapitale. Për atë arsye po e thonë që është e pamundur të vendosen këto. Unë po të kisha pasë mundësi kisha vendosë më tepër në subvencione që të ndihmohen njerëzit”, thotë Abazaj. Shefi i arkës komunale pranon se komuna nuk ka ndarë asnjë cent me ndonjë kod të veçantë për të ndihmuar qytetarët apo edhe rimëkëmbjen e bizneseve të Pejës.

“Është mundësi tepër e vogël buxhetore që komuna të financojë rimëkëmbjen ekonomike të bizneseve”, pohon Abazaj. Mosgatishmëria e komunës për të përkrahur biznes vërehet edhe në mos interesimin e komunës për grumbullimin e të dhënave për dëmin që i ka shkaktuar pandemia ekonomisë pejane. “Ende nuk kemi bërë ndonjë vlerësim për dëmin që i ka shkaktuar pandemia bizneseve”, pranon drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, Lendita Muhaxheri.

E kjo Drejtori për sivjet ka gjithsejtë të planifikuara vetëm 150 mijë euro për projekte që ndërlidhën me turizëm. E vetmja ndihmë qytetarëve nevojtarë mund t’u jepet sivjet, siç thotë drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, nga subvencionet e kodit të kryetarit të Komunës, të planifikuara për sivjet në shumë prej 400 mijë eurosh, të parapara jo vetëm për sektorin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, por edhe për kulturë. Mjete tjera të ndara për këtë qëllim, sipas Locit nuk ka as në Drejtorinë e Shëndetësisë, përveç shumave që janë planifikuara për investime kapitale.

“Për këtë vit janë rritur planifikimet për materiale mjekësore dhe për shërbime të tjera shëndetësore që ndërlidhen edhe me Covid-19. Dhe gjitha këto janë të parapara në buxhetin e vitit 2021. Sa i përket planifikimit të investimeve kapitale në shëndetësinë primare në Komunën e Pejës, kemi rreth 400 mijë euro të ndara në kode të ndryshme dhe për investime të ndryshme. Ku mund të përmendim fazën e dytë të ndërtimit të QMF-së në Vitomiricë, ndërtimin e objektit të ri të QMF-së në Karagaq dhe rinovime të ndryshme në gjithë sistemin e shëndetit primar”, tha Loci.

E këto mjete të planifikuara për shëndetësi janë vetëm 5 për qind nga buxheti i përgjithshëm tetë milionësh për investime kapitale për vitin 2021. Pak më shumë mjete se për shëndetësi janë planifikuar për bujqësi. Gjithsejtë 760 mijë euro për ndërtimin e pendëve dhe kanaleve të ujitjes. Edhe 300 mijë euro më shumë se në bujqësi, janë planifikuar të investohen në arsim për rinovim të shkollave dhe ndritim të sallave sportive të shkollave.

Kurse 960 mijë euro të tjera janë planifikuar për projekte tjera infrastrukturore si ndërtime të trotuareve, kubëzime, ndërtime të mureve mbrojtëse, projekte të vogla për ujësjellës dhe kanalizime në fshatra… Kurse vetëm për shpronësime të pronave private për zbatimin e planeve rregulluese, komuna ka planifikuar të shpenzoj sivjet 900 mijë euro. Ndërsa mjetet e tjera nga tetë milionëshi janë të shpërndara për projekte të ndryshme të drejtorive tjera komunale, në mesin e tyre edhe 85 mijë euro për blerjen e automjeteve nga administrata Komunale. Shuma e investimeve kapitale sivjet është përafërsisht e njëjtë si vitin e kaluar.