Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimet e saj lidhur me favorizimin e ndërmarrjeve publike, përmes aplikimit të gabueshëm të dispozitave për blerjet “brenda shtëpisë” përmes të cilave autoritetet publike blejnë shërbime nga ndërmarrjet publike në kundërshtim me dispozitat kushtetuese, Ligjin e Prokurimit Publik, si dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Kjo praktikë e gabueshme që cenon trajtimin e barabartë të ndërmarrjeve publike dhe private buron nga një interpretim jo i drejtë i bërë nga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik lidhur me nenin 9.4 të Ligjit mbi Prokurimin Publik, i cili parasheh që nëse autoriteti kontraktues është autoritet publik, autoriteti i tillë publik duhet të marrë masa të arsyeshme për t’u siguruar se lëndët që i përmbushin këto nevoja nuk janë në dispozicion nga ndonjë autoritet tjetër publik.
Megjithatë Oda Amerikane thekson se ndërmarrjet publike në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si “autoritete publike”, prandaj praktika e blerjes së shërbimeve të tyre nga ana e autoriteteve kontraktuese përmes dispozitave të “prokurimit brenda shtëpisë” duhet të ndërpritet, meqë cenon konkurrencën e drejtë.
Favorizimi i ndërmarrjeve publike sipas kushteve të sipërcekura është në kundërshtim me parimet thelbësore të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë, të rregulluar me Nenin 10 dhe 119 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, Neni 13 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike përmban dispozita të qarta sipas të cilave të gjitha ndërmarrjet publike, pa asnjë përjashtim, i nënshtrohen ligjeve, rregulloreve dhe akteve nënligjore të cilat i rregullojnë shoqëritë tregtare në pronësi private.
Nga sa u tha më lart, Oda Ekonomike Amerikane u kërkon të gjitha autoriteteve publike që të ndërpresin praktikat e gabuara të favorizimit të ndërmarrjeve publike, duke rikujtuar se autoritetet publike kanë përgjegjësi për ofrimin e mjedisit të barabartë për të gjithë operatorët ekonomik, privat dhe publik, përmes zbatimit të drejtë të ligjeve dhe Kushtetutës./Gazeta Alo/