952 të vdekur janë raportuar për një ditë në Gjermani.
Shifra më e lartë deri tani ka qenë në 598 viktima.
Që nga fillimi i pandemisë në Gjermani kanë humbur jetën 23 mijë e 427 persona nga Corona. Edhe numri i infektimeve të reja është shqetësues, vlera ditore arrin 27 mijë e 728 persona.
Për të kufizuar përhapjen e pakontrolluar të virusit, nga e mërkura në Gjermani hyjnë në fuqi kufizime të forta të jetës publike që u vendosën në fundjavë në takimin e kancelares Merkel me kryeministrat e landeve federale.
Nga 16 dhjetori deri në 10 janar do të mbyllen të gjitha dyqanet, përjashtime ka për ato dyqane që janë të nevojshme për nevojat e përditshme. Shkollat mbyllen, dhe nuk ka detyrim për prezencë në shkollë. Kopshtet janë mbyllur dhe ofrohet kujdestari vetëm në raste nevoje.
Edhe parukeri e shërbime të tjera mbyllen. Rregulla të forta vlejnë edhe për takimet private. Maksimumi lejohen të takohen 5 persona nga dy familje. Fëmijët deri në 14 vjeç nuk llogariten. Vetëm nga 24-26 dhjetor ka një rregullore të posaçme, ku lejohet që në rrethin familjar takime me katër veta që vijnë nga familje të tjera.