Fjalë Kyçe

Përfundon seanca për pandeminë – mungesa e bashkëpunimit dhe kuorumit rezulton pa miratimin e një rezolute

Përfundon seanca për pandeminë – mungesa e bashkëpunimit dhe kuorumit rezulton pa miratimin e një rezolute

Pa një rezultat konkret ka përfunduar seanca e sotme plenare për menaxhimin e pandemisë Covid-19.

Dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja, dështuan të harmonizojnë rezolutat e tyre pas debatit të tejzgjatur për dy ditë me radhë.

Për këtë qëllim dhe në mungesë të kuorumit votimi përfundimtar është shtyrë në seancën e radhës, derisa iu kërkua dy partive të bashkëpunojnë në mënyrë që nga kjo seancë të dalë një rezolutë e përbashkët e të zgjedhurve të popullit.

Deputetja e Vetëvendosjes Fatmire Mulhaxha- Kollçaku paraqiti katër pikat e rezolutës së tyre, ku përfshihet edhe votimi me procedurë të përshpejtuar i Projektligjit anti-Covid.

“Të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar projektligji për luftimin dhe parandalimin e pandemisë Covid-19 në Kosovë. Për të infektuarit me simptoma të lehta, të dyshuarit me këtë infeksion dhe familjarët e tyre institucionet të marrin përsipër mbrojtjen dhe kompensimin e nevojave tyre elementare shëndetësore dhe sociale. Të merren masat urgjente për trajtimin dhe mbrojtjen e personelit shëndetësor, përfshirë rekrutimin e stafit shtesë në të gjitha nivelet në raport me rekomandimet. Të gjitha institucionet të marrin të gjitha masat për informim korrekt në kohë reale mbi të vërtetën e gjendjes aktuale epidemiologjike për seriozitetit dhe pasojat e pandemisë”.

Kurse një rezolutë tjetër me gjashtë pika e paraqiti deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, ku përfshihej miratimi i Projektligjit anti-Covid, por kërkohej edhe rritja e pagës së profesionistëve shëndetësorë.

“Situata të vihet në kontroll dhe mos të ketë politizime rreth ligjit. Po e shohim se Ligji anti-Covid ka mbetur për shkak të inateve politike të votohet, edhe pse ne si PDK i kemi japë mbështetje prej fillimi. Prandaj, kemi kërkuar që të autorizohet Komisioni Parlamentar për Shëndetësi në afatet më të shpejta kohore të sjellë për miratim Ligjin anti-Covid”.

“Kërkojmë urgjentisht që qeveria me vendim të veçantë të rrisë pagat e profesionistëve shëndetësorë ashtu siç ishte e planifikuar me Projektligjin e Pagave. Duke përfshirë kërkesat e infermiereve, po ashtu ky vendim duhet të përfshijë të gjitha kategoritë apo zyrtarët shtetërorë që po përballen me menaxhimin e pandemisë. Ministria e Shëndetësisë të mundësojë punësimin edhe të 1500 profesionistëve shëndetësorë me qëllim të përballjes me pandeminë Covid-19. Sa më shpejt të bëhet decentralizimi i testimeve dhe trajtimi për Covid-19 duke mbështetur komunat në menaxhim të situatës”.

Edhe seancën e sotme e kanë karakterizuar debate dhe polemika të ashpra ndërmjet deputetëve të partive në pushet dhe opozitës. Por, herë pas here edhe vet të dy partive opozitare.