Pacientët me koronavirus që nuk kanë simptoma nuk po e shtyjnë para përhapjen e virusit, kanë thënë të hënën drejtues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kështu janë hedhur dyshime në shqetësimet e disa studiuesve se sëmundja vështirë mund të kontrollohet për shkak të infeksioneve asimptomatike.
Disa njerëz, sidomos të rinj me shëndet të mirë, që janë infektuar me koronavirus, asnjëherë nuk kanë shfaqur simptoma apo kanë pasur vetëm simptoma të lehta. Disa të tjerë nuk shfaqin simptoma deri disa ditë pasi të jenë infektuar.
Provat e mëparshme tregonin se virusi mund të përhapet përmes kontaktit nga personi në person, edhe nëse ai që barte virusin nuk kishte simptoma. Por zyrtarët e OBSH-së tani thonë se përhapja asimptomatike është e mundur, por nuk është mënyra kryesore e transmetimit.
“Nga të dhënat që kemi, ende duket e rrallë që një person asimptomatik të transmetojë virusin te një individ tjetër”, ka thënë Dr. Maria Van Kerkhove, udhëheqëse e njësisë së OBSH-së për sëmundje emergjente. “Është shumë e rrallë”.
Qeveritë duhet të përqendrohen në zbulimin dhe izolimin e personave të infektuar dhe me simptoma dhe gjurmimin e kontakteve të tyre, ka theksuar Van Kerkhove. Ajo ka pranuar se disa studime kanë treguar përhapje asimptomatike dhe parasimptomatike në shtëpitë e pleqve dhe në mjediset shtëpiake.
Por më shumë hulumtime dhe të dhëna duhet për një përgjigje të saktë për atë nëse koronavirusi mund të përhapet gjerësisht përmes bartësve asimptomatikë.