Fjalë Kyçe

Perimet në tregjet e Kosovës, me përmbajtje shumë të diskutueshme të pesticideve

Perimet në tregjet e Kosovës, me përmbajtje shumë të diskutueshme të pesticideve

Rreth 95 për qind të dredhëzave joorganike, mollët, spinaqi, sallatat jeshile, rrushi, pjeshkët dhe dardhët, të cilat i ka testuar qeveria e SHBA-së, kanë dalë të kenë nivel të përmbajtjes së palejueshme të pesticideve.

Në një Udhëzues për konsumatorët për vitin 2024 në SHBA, si më të ‘helmuarat” me pesticide, përfshihen nektarinat, specat, domatet, vishnjet, boronicat etj. Ndërsa, në një testim të bërë në javën e kaluar në fakultetin e Mjekësisë në Zagreb, është hulumtuar në 48 mostra të portokallit të prodhuar në vend dhe të atij të importuar për të parë se në çfarë përmasash pesticidet nga lëvorja e portokallit zgjerohen dhe shtrihen edhe në brendinë e këtij fruti. Dhe, siç kanë treguar analizat, në lëvorën e portokajve të testuar janë hasur kryesisht katër “helme”(pesticidet: imazalil, klorpirifos, tiabendazol dhe bifentrin). Ndërkohë, me këtë rast, është vërtetuar se nga 48 mostrat e testuara të portokajve, në 11 sosh është treguar se ka pasur transferim të pesticideve nga lëvorja në brendi të portokallit, ose 20-30 për qind të portokajve të testuar kanë përmbajtur pesticide helmuese edhe në brendinë e vet. Shembujt e testimeve nga SHBA-ja e largët dhe nga Kroacia, doemos që janë jo pak skandalizuese dhe shqetësuese për konsumatorët, qoftë ai i rëndomtë dhe pa njohuri të mjafta për dëmet që vijnë nga përdorimi i pesticideve të ndaluara me konventa e traktate të ndryshme ndërkombëtare dhe nga përdorimi i tepruar i pesticideve të të gjitha llojeve.

Njohës të këtij problemi raportojnë se disa pemë dhe perime, siç bie fjala dredhëzat, mollët ose spinaqi, gjatë rritjës së tyre, spërkaten 16-17 herë me pesticide. Por, skandali i përmabjtjes së pesticideve të ndaluara dhe përtej normave vazhdon të ndodhë, sot e kësaj dite në shumë shtete të botës, por edhe ndër shtetet fqinje, prej nga Kosova importon shumicën absolute të produkteve bujqësore.

Ndërkohë, tregjet e gjelbra të Kosovës, me vite dhe tani dominohen nga produktet bujqësore të importuara. Sipas tregtarëve që me vite tregtojnë produkte bujqësore në këto tregje, përveç miellit të misrit, karrotave, aty këtu ndonjë thesi të patateve, mollëve të pakta të cilësisë mesatare që janë vendore, të gjitha produktet e tjera janë të importuara.

Në tregjet tona të gjelbra, edhe këtyre ditëve nga importi janë edhe specat, edhe domatet, edhe mollët e cilësisë së mirë, edhe spinaqi (kryesisht nga Shqipëria), qepët, preshi, si dhe lakra e hershme. Dhe, këto produkte bujqësore, shumica absolute me pamje të jashtme joshëse, janë me cilësi shumë të diskutueshme, sidomos sa i përket përmbajtjes së pesticideve dhe plehrave të tepruara minerale. Këto mallra, shumica e tyre hyjnë në Kosovë pa asnjë kontroll sanitar dhe pa asnjë verifikim për përmbajtjen e këtyre “helmeve”, ndërkohë që të njëjtat produkte, siç raportojnë mediet e ndryshme, kthehen mbrapsht nga shumë shtete të Europës dhe të rajonit, pikërisht për shkak të përmbajtjes së këtyre “helmeve”.

Njohës të zhvillimeve në tregjet kosovare, kanë thënë për Buletinin Ekonomik se “kamionët e mbushur me produkte bujqësore” që vijnë nga importi, mjafton të tregojnë në kufi një tip dëshmie (vërtetim) fitosanitar nga prodhuesi dhe pas oprocedurave doganore futet lirshëm në vendin tonë. Ndërkohë, që dëshmia nga prodhuesi, dihet se nuk thotë asgjë të besueshme për produktet bujqësore që vërshojnë tregjet tona.

Këto ditë, nga Gjermania është kthyer për në vendin e origjinës, një kontigjent i tërë trangujsh të prodhuar nga fermerët e Shqipërisë (eksportet e trangullit përbëjnë 16% të totalit të eksportit të perimeve shqiptare jashtë vendit). Dhe, ky refuzim i trangujve nga Shqipëria, dhe të disa perimeve nga Maqedonia e Veriut, ka ndodhur pas disa rasteve gjatë vitit të kaluar të bllokimit të produkteve bujqësore të këtyre shteteve dhe për shkak të përmbajtjes së sasive enorme të pesticideve të dëmshme. Ndërsa, Kosova importon sasinë më të madhe të perimeve, pikërisht nga këto shtete. Dhe, ripërsëritja e këtyre rasteve (skandaleve të pesticideve), domosdo ngre pikëpyetje të mëdha se çfarë konsumojmë në Kosovë, ku, siç flasin konsumatorët, por në raste të rralla edhe vetë tregtarët, fatkeqësisht ka fare pak , ose nuk ka hiç fare kontrolle të produkteve të importuara bujqësore, sidomos të produkteve të freskëta bujqësore (spinaqi, sallata e gjelbër, trangujt etj).

Tregtimi i produkteve bujqësore (pemëve dhe perimeve) qind për qind të importuara gjatë tremujorit të parë të këtij viti, me përmbajtje enorme dhe pa kriter të pesticideve dhe hormoneve vijon të mbetet jashtë kontrollit dhe vëmendjes së autoriteteve përgjegjëse në republikën tonë. Asnjë kontrollë nuk bëhet ndaj produkteve bujqësore të importuara kryesisht nga 3-4 shtetet të rajonit, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Greqia dhe nga Turqia. Thjesht, janë vetëm fjalë të përfaqësuesve të AUV-it, ato që herë pas here, deklarohen nëpër mediet në Kosovë. Nuk ka kontrolle, nuk dihet se çka përmbajnë, cilat pesticide dominojnë në produktet bujqësore të importuara dhe çfarë sasie është e pranishme në to.

Po të kishte ndonjë kontroll dhe ndonjë epilog nga kontrolli eventual i perimeve dhe pemëve të importuara, do të duhej të informohet publiku. Opinioni kosovar duhet të dijë përmbajtjen e pesticideve në produktet që u serviren çdo ditë nga tregtarët, ndër të cilët ka edhe numër të konsiderueshëm abuzuesish. Fundja, ta dëshmojnë institucionet përgjegjëse (edhe AUK-u), përmbajtjen e pesiticideve në produktet e importuara bujqësore.

Në vitin e kaluar (në fillim të qershorit të vitit 2023), pas një presioni evident të publikut dhe të konsumatorëve, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte bërë publike pranimin e rezultateve të mostrave të domateve me origjinë nga Shqipëria, të dërguara në një Laborator të kontraktuar në Bullgari. Dhe sipas kumtimit që kishte bërë atëbotë AUV, prezenca e kontaminuesve kimik doli të jetë brenda normave ose limiteve të cilat janë të lejuara për konsum dhe nuk paraqesin rrezik. Mostrat, sipas AUV-it, janë testuar në të gjitha llojet e pesticideve. Por, sivjet, në asnjë rast nuk është bërë ndonjë njoftim për ndonjë kontroll eventual ndaj produkteve bujqësore që vijnë nga importi.

Sipas ekspertëve, por edhe konsumatorëve, është fakt se nuk ka një kontroll të duhur mbi prodhimet bujqësore, mbi përmbajtjen dhe nivelin e kimikateve tek to. Mungesa e kontrolleve nga institucionet përgjegjëse për ta bërë këtë punë, prej shume vitesh ka krijuar hapësirë abuzive, shqetësime ndër konsumatorë por edhe frikë nga pasojat e përmbajtjes evidente të pesticideve në produktet bujqësore që kanë vërshuar tregjet e gjelbra kosovare. Ekspertët tërheqin vërejtjen se është tepër vështirë të eliminohen pesticidet nga pemët e perimet e importuara. Duhet pastruar shumë dhe me vëmendje, pastaj duhet konsultuar ekspertët se çka duhet përdorur për ta zbutur prezencën e pesticideve në këto produkte, dhe prap në fund, nuk mund të eleminohen tërësisht këto helme nga perimet dhe pemët e importuara. Ndërsa, ekspertët nuk prajnë së dhëni alarmin për sasinë e përdorimit të pesticideve dhe hormoneve në produktet bujqësore të importuara. Ata e ritheksojnë si tërheqje vërejtjeje dhe sinjal të qartë kthimin mbrapsht të trangujve nga Gjermania në Shqipëri për të reaguar sa më shpejtë për të kontrolluar trangujt, spinaqin, sallatat e gjelbra, specin atj., që ka kohë që kanë vërshuar stendat e tregjeve të gjelbra të Kosovës.