Fjalë Kyçe

Përleshja e armatosur, plagosja e dënimi nga gjykata – Historiku i problemeve të Noizyt me ligjin në Kosovë

Përleshja e armatosur, plagosja e dënimi nga gjykata – Historiku i problemeve të Noizyt me ligjin në Kosovë

Nga plagosja e në Prishtinë, tek arrestimi dhe lirimi i tij pasi pagoi gjobën 2 mijë euro. Ky është historiku i konfliktit të armatosur dhe problemet me ligjin në Kosovë për reperin nga Shqipëria Rigels Rajku, i njohur si Noizy.

Rigels Rajku i njohur si Noizy, në shtator të vitit 2016 në parkingun para hotelit “Sëiss Diamond”, në Prishtinë ishte përfshirë në një përleshje me armë me antarët e grupit BabaStars nga Kosova.

Problemi mes dy grupeve OTR që është ‘label’ në të cilin bën pjesë ‘Noizy’, ndërsa ‘BabaStars’ label-i tjetër ku bënte pjesë ‘Cozman’, kishte përfunduar me plagosjen e Noizyt dhe lëndimin e disa personave.

Noizyt iu desh një ndërhyrje kirurgjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për t`ia hequr plumbin.

Për këtë rast kishte nisur edhe një proces gjyqësor ku Noizy ishte i akuzuar e reperi tjetër, Ylber Abdullahu (Cozman), si palë e dëmtuar.

Sipas aktakuzës, ‘Noizy’, kishte filluar sherrin duke iu vërsulur fizikisht Albert Krasniqit dhe Ylber Abdullahut, pasi që këta dy të fundit kishin arritur në parkingun e hotelit.

Aktakuza thotë se ‘Noizy’ fillimisht i është vërsulur ‘Cozman’-it të cilit i është afruar derisa ishte duke ndenjur në automjetin e markës “Range Rover” dhe me grusht e ka goditur në pjesën e tëmthit dhe e ka shtyrë në automjet, me ç‘rast është shkaktuar rrahja e përgjithshme dhe i dëmtuari kishte pësuar edhe ca goditje.

Aktakuza sqaron se plumbi në trupin e Noizyt kishte ardhë nga Albert Krasniqi, pasi që ky i fundit kishte shtënë dy fishekë “njëri nga të cilët ka përfunduar në trupin e Rajkut”.

Albert Krasniqi, i cili në fillim të këtij viti është vrarë me armë zjarri nga babi i tij, Skender Krasniqi i cili para disa ditësh u dënua me 3 vjet e 5 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia.

Krasniqi në seancën gjyqësore e kishte pranuar fajsinë për plagosjen e Noizyt duke deklaruar se janë pajtur dhe se janë bërë miq.

“Po e pranoj fajësinë dhe ndjehem shumë keq për rastin që ka ndodhë. Ne jemi pajtu dhe tash jemi miq “, Albert Krasniqi.

Paraprakisht edhe ‘Noizy’ e kishte pranuar fajësinë për konfliktin e njëjtë.

Noizy nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishte dënuar me dy mijë euro gjobë për incidentin ku ai mbeti i plagosur. Kurse i akuzuari tjetër Albert Krasnqi, për plagosjen e Noizyt ishte dënuar me 6 muaj burgim me mundësinë që dënimin ta shlyej me para.

Këtë gjobë reperi shqiptar nuk e kishte paguar as tri vjet pas dënimit nga Gjykata. Të mërkurën mbrëma ai ishte arrestuar në kufirin Kosovë -Shqipër, në Vërmicë.

Lajmi për arrestimin e tij u konfirmuar nga Policia e Kosovë.

“Mbrëmë në pikën kufitare, në Vermicë nga policia është ndaluar një person, i cili është shoqëruar në stacionin policor Qendra në Prishtinë. Ndaj tij ka qenë aktive një urdhëresë të gjykatës. Zyrtarët policor në koordinim me institucionet përkatëse, po kryejnë veprimet e nevojshme procedurale”, tha zëdhënësja e policisë Flora Ahmeti.

Ndërsa nga Gjykatës Themelore në Prishtinë, në një prononcim për Gazetën Insajderi kanë treguar se reperi shqiptar u arrestuar për rastin e rrahjes me Albert Krasniqin në vitin 2016. Dhe lirimi i tij u bë vetëm pasi pagoi gjobën.

“Rasti ka të bëjë me rrahjen me Albert Krasniqi. Ka qenë i dënuar me një shumë prej 2 mijë euro dhe nuk e kishte paguar dhe është ndaluar në Vërmicë dhe është sjellë në Gjykatë dhe i njëjti e ka bërë pagesën dhe është liruar”, tha Mirlinda Gashi për Insajdeirn.