I dyshuari për incidentin që ndodhi më 6 korrik, në hotelin ‘Vita’ në fshatin Vragoli të Fushë Kosovë tashmë ka rënë në prangat e Policisë. M.A., po dyshohet se ka kërcënuar me armë zjarri një shtetas të Italisë, në hapësirat e hotelit, për motive ende të panjohura. Ndaj tij, Prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalim nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka bërë të ditur për Sinjalin zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, e cila njoftoi po ashtu se ndaj të dyshuarit është bërë kërkesë për paraburgim.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit është ndaluar personi për të cilin keni parashtruar pyetje, për shkak të veprave penale “Kanosja” (me armë) dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të parapara sipas KPRK-së, si dhe, ndaj të njëjtit është paraqitur kërkesa për caktim të paraburgimit në gjykatën kompetente”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.
Çka ndodhi më 6 korrik në hotelin ‘Vita’?
Konflikti nisi atë natë, rreth orës 21:30, kur i dyshuari e nxori armën dhe ia drejtoi viktimës, shtetasit italian, duke e kërcënuar, çka i shkaktoi atij shqetësim. Si pasojë e frikës, viktima dyshohet se ka tentuar ta gjuajë të dyshuarin me një karrige, por pa dashje e ka goditur kolegun e tij romun.
Shtetasi romun ka përfunduar në Emergjencë si pasojë e lëndimeve të marra aksidentalisht nga kolegu i tij, ndërsa i dyshuari fillimisht iku nga vendi i ngjarjes. Ai ishte kontaktuar nga Policia e Kosovës, të cilëve u ka thënë se ndodhet në spital, por s’ka dhënë më shumë detaje.
Ndërkohë, në lidhje me rastin, hetuesit policorë kanë marrë deklaratat e dy dëshmitarëve, të cilët kanë përshkruar se si ndodhi përleshja.
Sinjali do të ju mbajë të informuar për zhvillimet e reja në lidhje me rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.