Fjalë Kyçe

Përleshja vitin e kaluar në Kuvend, VV-ja e PDK-ja pajtohen që ta zgjidhin me ndërmjetësim

Përleshja vitin e kaluar në Kuvend, VV-ja e PDK-ja pajtohen që ta zgjidhin me ndërmjetësim

Me pajtim të palëve në procedurë, lënda ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe Mergim Lushtaku, për përleshjen e ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës, ka shkuar në ndërmjetësim.

Mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Bislimi, avokati Florent Latifaj tha se pas konsultimit me të mbrojturin e tij, pajtohen që kjo lëndë të shkojë në procedurë të ndërmjetësimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Hajdar Beqa, avokati Hajzer Salihu tha se do t’ia japin një shans procedurës së ndermjetësimit.

Po ashtu, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Mergim Lushtaku, avokatja Besjana Ismajli e mbështeti deklarimin e avokatit Salihu, e cila tha se pajtohen që kjo lëndë të shkojë në ndërmjetësim.

Gjithashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Haxhiu, avokati Ardian Megjani, u pajtua që lënda të shkojë në ndërmjetësim.

Deklarimet e avokatëve të tyre i mbështetën edhe katër të akuzuarit.

Po ashtu, që kjo lëndë të shkojë në ndërmjetësim u pajtua edhe i dëmtuari, ministri i Financave, Hekuran Murati si dhe prokurorja Nebahate Salihu.

Më pas, gjykatësi Eroll Gashi tha se gjykata merr vendim që kjo çështje penale të shkojë në procedurë ndërmjetësimi, e nëse arrihet marrëveshja, do të hudhet poshtë aktakuza.

Por, në rast se nuk arrihet marrëveshja në ndërmjetësim, gjykatësi tha se procedura do ta vazhdojë ku ka mbetur në gjykatë.