Kërkesa për trajtim mjekësor e një të mituri në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas, i bëri mjekët ta “luajnë” Policinë e Kosovës. Ata ngritën dyshimet se personi që kërkonte tretman, mund të ishte i përfshirë në ndonjë përleshje dhe lajmëruan Policinë.
Posa Policia mori këtë informatë nga kjo qendër e mjekësisë, u vu në lëvizje. Burimet e Sinjalit brenda QKMF-së në Drenas thanë se i mituri refuzoi të transferohej në QKUK dhe Policia e dërgoi në stacion policor.
Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se në bazë të informacioneve të para, i mituri ka qenë i përfshirë në një përleshje, bashkë me dy persona të tjerë, në sheshin e Drenasit.
Edhe dy personat e tjerë, të përfshirë në këtë përleshje janë të mitur. Edhe ata dyshohet se kanë pësuar lëndime gjatë përleshjes dhe janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.