Përmbytjet në rajonin e Detit të Zi në veri të Turqisë kanë lënë të vdekur pesë njerëz dhe 11 të tjerë janë në kërkim e sipër pasi konsiderohen të zhdukur, tha sot presidenti Recep Tayyip Erdogan.
Përmbytjet e shkaktuara nga shirat jashtëzakonisht të rëndë bartën automjetet dhe mbeturinat poshtë rrugës, duke i lënë të bllokuar në baltë, tregojnë pamjet nga provinca Giresun.
Erdogan tha në Stamboll se përmbytjet ishin përhapur në provincat fqinje.
“Në raportet e para që morëm, pesë persona kanë vdekur dhe rreth 12 u plagosën në përmbytje të mëdha,” tha Erdogan. “Me vullnetin e Zotit, ne do t’i rregullojmë dëmet shpejt.”
Deri më tani, 153 njerëz janë shpëtuar, dhe 1.000 punonjës të ndihmës po ndihmojnë në kërkimin e të zhdukurve, tha ministri i Brendshëm Sulejman Sojlu.
Ministri i Mjedisit Murat Kurum tha se 17 ndërtesa u rrënuan dhe 361 të tjera u dëmtuan.