Ekzekutivi kosovar po tenton që për herë të dytë brenda vitit dhe të tretën në tërësi ta themelojë Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.
Përpjekja e tretë nisi nga kjo e hëne, pasi në mbledhjen e qeverisë u votua propozim vendimi i Ministrit të Drejtësisë Selim Selimi që të krijohet grupi punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.
Një vendim të tillë për të njëjtën çështje e kishte marrë më 13 maj të këtij viti edhe ish-Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.
Ministrja e atëhershme pati emëruar një grup që do të hartonte planin për rithemelimin e institutit dhe i njëjti do ta dorëzonte raportin përfundimtar në fund të shtatorit që, sipas Haxhiut, deri tani instituti do të ishte jetësuar po të ishte në detyrë Qeveria Kurti, shkruan klan kosova.
Kosova veçse kishte pasur një institut të tillë i cili pati hulumtuar krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë që nga viti 2011 deri më 2018.
I njëjti u shua gjatë mandatit të Qeverisë Haradinaj, nga partia e së cilit është edhe Ministri aktual i Drejtësisë.
Qëllimi pati qenë që me këtë çështje të merrej një departament për drejtësi tranzicionale.
Sipas ish-drejtorit të këtij instituti, Ismet Salihu, askush deri tani nuk e ka marrë seriozisht dokumentimin e krimeve të luftës dhe qasja për themelimin e institutit tani është krejt primitive.
Salihu vlerëson madje se edhe po të rithemelohet, instituti nuk do të mund ta nisë punën më herët se dy vitet e ardhshme.
Një institut të destinuar për krimet e luftës e pati krijuar edhe Bosnja në fillim të viteve të 90’ta, por edhe pas gati tri dekadash i njëjti vazhdon punën pa u ndikuar nga vendimet politike.