Fjalë Kyçe

Përplasje mendimesh në Shqipëri për investimet e planifikuara të dhëndrit të Trumpit

Përplasje mendimesh në Shqipëri për investimet e planifikuara të dhëndrit të Trumpit

Për Qeverinë e Shqipërisë, investimet e pritshme të sipërmarrësit amerikan, Jared Kushner, në bregdetin shqiptar janë një mundësi “e artë”, për opozitën është shqetësuese, siç thotë ajo, mungesa e transparencës, ndërsa për ekspertët mjedisorë rrezikohet fauna detare, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Kushner, dhëndër i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, publikoi në fund të javës së kaluar në rrjetin X pamje nga projektet që ai synon t’i realizojë në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit, në jug të Shqipërisë.

Ai tha se është afër finalizimit të disa marrëveshjeve të mëdha për pasuri të paluajtshme në Shqipëri, por dhe në Serbi.

Sipas artikujve të botuar në mediat amerikane New York Times dhe Bloomberg, kompania e Kushnerit, Affinity, planifikon ta transformojë ishullin e Sazanit – i shfrytëzuar më herët vetëm si bazë ushtarake – në një eko-resort luksoz.

“Ishulli i Sazanit është një nga linjat bregdetare më origjinale dhe në unike që kam parë ndonjëherë kudo në botë”, tha ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë.

Affinity, sipas shkrimeve, planifikon ta zhvillojë edhe zonën e Zvërnecit, pranë Vlorës, duke ndërtuar disa resorte me rreth 10.000 dhoma hoteli dhe vila.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i komentoi këto plane gjatë një takimi të Partisë së tij Socialiste, që u mbajt të dielën:

“Këto ditë, Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndri i ish-presidentit Trump, shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri”.

“Po ata që na tregonin Malin e Zi për zhvillimin e turizmit dhe investimet e huaja direkte, sot na flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit në Mesdhe”, tha Rama.

Radio Evropa e Lirë kërkoi komente nga Ministria e Turizmit e Shqipërisë në lidhje me këtë temë, por nuk mori përgjigje.

Në deklaratën dhënë Zërit të Amerikës, kjo ministri konfirmoi shkurtimisht aplikimin e kompanisë së Kushnerit për projektin në ishullin e Sazanit, por tha se nuk është në dijeni për projektin për Zvërnecin.

Ku gjendet ishulli i Sazanit?
Ishulli i Sazanit shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Sipas Agjencisë Kombëtare të Bregdetit në Shqipëri, ai ka një sipërfaqe prej 5.7 kilometrash katrorë.

Klima e Sazanit është e butë, mesdhetare.

Nga pikëpamja e eko-sistemit, ai është shumë i pasur dhe i mbrojtur, si rezultat i të qenët vazhdimisht zonë ushtarake.

Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera.

Në korrik të vitit 2015, ishulli i Sazanit u hap për publikun nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit.

Ndryshimet ligjore për hir të zhvillimit
Shqipëria, pak javë më parë, miratoi ndryshimet në Ligjin për zonat e mbrojtura, të cilat u hapin rrugë ndërtimeve në to të hoteleve apo projekteve të tjera që konsiderohen me rëndësi strategjike.

Ndryshimet u miratuan në seancën e 22 shkurtit në Kuvend, me vetëm votat e shumicës.

Tani, është në duart e presidentit të Republikës, Bajram Begaj, nëse do t’i miratojë ato, apo do t’i kthejë për rishikim në Kuvend.

Për opozitën shqiptare, marrëveshja për investimet nga Kushneri, që nuk është finalizuar ende, tregon se këto ndryshime në ligj kanë qenë “të porositura”.

“Nuk pati asnjë diskutim publik, asnjë konsultim për të treguar se një investitor me një emër të madh po vjen në Shqipëri”, thotë Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike, për Radion Evropa e Lirë.

“Nuk dimë asgjë se sa është investimi, cili është ndikimi në ekonomi, sa vende pune do të hapen? Pse nuk na u tha që ky investim i këtij niveli kërkon ndryshime në një paketë ligjesh, sepse është në interes të vendit, por e mësuam nga media? Ne jemi një vend që shpreson t’i bashkohet Bashkimit Evropian, ndaj duhet të ketë konkurrencë dhe transparencë”, thotë Tabaku.

Edhe për Erisa Xhixhon, deputete e Partisë së Lirisë, mungesa e transparencës “nuk është normale”.

“Përmes medias mësojmë se Jared Kushner do të investojë në Sazan dhe Zvërnec – pa pikë transparence”, shprehet ajo, duke paralajmëruar edhe padi në Gjykatën Kushtetuese për ndryshimet në Ligjin për zonat e mbrojtjes.

“Ligji është antikushtetues, në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit [me BE-në] dhe të konventave ku Shqipëria është palë”, sipas saj.

“Shpresoj që presidenti të ngrihet në lartësinë e detyrës, duke e kthyer këtë ligj, në të kundërtën do t’i drejtohemi Kushtetueses”, thotë Xhixho.

Këtyre deklaratave u bën jehonë edhe Tabaku, duke pyetur, po ashtu, nëse ligji u ndryshua “me qëllim që të përfitonte ky investitor”.

“A përfiton ky investitor apo edhe të tjerë? Sepse, në një nga mbledhjet e Komisionit të Ekonomisë na u tha se janë 14 projekte, por nuk dihet se për çfarë bëhet fjalë”, thotë Tabaku.

Ekspertët e mjedisit: Projekti rrezikon shpendët
Disa ekspertë të mjedisit shprehin shqetësime, po ashtu. Ata kanë hartuar një peticion, të cilin ia kanë dërguar presidentit të Shqipërisë, Begaj, bashkë me argumentet e tyre se përse ky ligj nuk duhet dekretuar.

Në mesin e grupit që bëri peticionin, është edhe Mirjan Topi, inxhinier mjedisi.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se Zyra e Begajt është duke e shqyrtuar peticionin e ekspertëve.

Sipas Topit, zona tokësore e ishullit të Sazanit nuk është zonë e mbrojtur, por kufiri ujor rreth ishullit është pjesë e Parkut Kombëtar Detar Sazan-Karaburun.

“Ndërtimi, zhurmat, pluhuri, problematika e mundshme me ujërat e zeza do ta rrezikojnë faunën detare. Zona e Sazanit është habitat i njohur për fokën e Mesdheut – lloj i rrezikuar në nivel global”, thotë Topi.

Ai shton se përmes ndërtimeve, shkatërrohet mundësia për të zhvilluar turizmin e natyrës.

“Akoma më shumë shqetësim përbën projekti për Zvërnecin, një ishull i vogël, pjesë e peizazhit të mbrojtur Pishporo-Nartë”, thotë ai.

“Projekti në Zvërnec rrezikon së paku pesë lloje shpendësh si flamingot, që janë rezidentë, pelikani kaçurrel, dallëndyshja e detit, etj. Me Ligjin e ri për zonat e mbrojtura, peizazhit të mbrojtur i janë hequr disa ndarje apo nënzona. Me ligjin e mëparshëm, në zonën qendrore nuk lejohej ndërtimi, por me ndryshimet në ligj, kjo u hoq dhe tani nuk ka pengesa për të zhvilluar ndërtime”, thotë Topi, drejtor i qendrës Shpendët e Shqipërisë.

Kush është Jared Kushner?
Kushner shërbeu si këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, në periudhën 2017-2021, kur president i SHBA-së ishte Donald Trump.

Pas largimit nga posti qeveritar, ai themeloi kompaninë Affinity, e cila, sipas raportimeve të disa mediave amerikane, mban asete me vlerë mbi 3 miliardë dollarë.

Viteve të fundit, ai dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, vizituan dy herë Shqipërinë, ku u takuan edhe me kryeministrin Edi Rama.

Sipas një shkrimi në gazetën New York Times, planet e Kushnerit në Ballkan duket se kanë lindur pjesërisht përmes marrëdhënieve të ndërtuara gjatë kohës kur Trump ishte në detyrë.

“Zoti Kushner, i cili ishte zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, tha se ka punuar për marrëveshjet me Richard Grenellin, i cili, gjatë administratës Trump, shërbeu për një kohë të shkurtër si ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës kombëtare dhe gjithashtu si ambasador në Gjermani dhe i dërguar i posaçëm në Ballkan”, shkroi New York Times.

Verën e kaluar, media ndërkombëtare, të tilla si CNN, e renditën Shqipërinë si një ndër destinacionet më interesante të sezonit, qoftë për plazhet, zonat malore, ushqimet apo edhe çmimet e volitshme.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, Shqipërinë e vizituan mbi dy milionë turistë të huaj në gusht të vitit 2023, ose 18% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit paraprak.