Fjalë Kyçe

Përplasje mes Rizvanollit e Shalës, shkak subvencionimi i ndërmarrjeve

Përplasje mes Rizvanollit e Shalës, shkak subvencionimi i ndërmarrjeve

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, kanë pasur një përplasje ndërmjet vete për siç tha deputeti i PDK-së, selektimin që po u bëhet ndërmarrjeve publike për t’i subvencionuar, raporton “Ekonomia Online” të martën.

Gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, për punën e ministrisë për vitin 2021 dhe planin e punës për vitin 2022, Rizvanolli ka thënë se arsyeja e subvencionimit të ndërmarrjeve KEDS dhe KESCO po bëhet për shkak se Qeveria e udhëhequr nga PDK-ja i ka privatizuar ato.

Sipas saj, kjo po bëhet për të mos e rënduar jetën e qytetarëve.

“Arsyeja se pse po i subvencionojmë kompanitë KESKO dhe KEDS është se Qeveria juaj i ka privatizuar. Secili cent që hyn në sistem, është cent që konsumatori nuk do ta paguajë. Kemi të bëjmë me subvencionim të konsumatorëve e jo të ndërmarrjeve”, u përgjigj Rizvanolli.

“Kënd e keni subvencionu tash me 20 milionëshin? Po i selektoni ndërmarrjet“, tha Ferat Shala.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, pyeti nëse do të ketë ndonjë pako për t’i subvencionuar qytetarët.

“Subvencionimi i energjisë është subvencionim i tarifave të konsumatorëve. Raportet e ZRRE-së bëhen në baza vjetore për tërë vitin duke marrë parasysh një planifikim të saktë për atë se sa do jenë nevojat për import. Për të hapur shqyrtim të ri, ekzistojnë rregulla. Nëse të hyrat kalojnë 5 për qind atëherë rishqyrtohet vlera e konsumatorit”, u përgjigj Rizvanolli.

Diskutimi për gjendjen në ndërmarrjen “Ferronikeli” nuk u pëlqye fort nga deputeti i VV-së, Driton Hyseni.

Ai iu drejtua Ferat Shalës se në çdo mbledhje po diskuton për këtë ndërmarrje.

Por këtë e mohoi Shala, i cili tha se për herë të parë zyrtarisht është diskutuar pasi kanë pranuar shkresë zyrtare.

“Unë e kam obligim ta ngreh zërin për këto çështje. Është hera e parë zyrtarisht në komision që e qes çështjen e ‘Feronikelit’. E dyta e kam obligim me ngreh këtë temë. Pse shqetësoheni ju me ngritjen e çështjes së ‘Ferronikelit’. Ju i keni subvencionuar kompanitë private të brendshme dhe të jashtme. Keni subvencionuar kompanitë turke, e nuk e keni subvencionuar ‘Feronikelin’”, tha Shala.

Pas këtij diskutimi, mbledhja u kërkua të vazhdojë pa praninë e medieve, ku temë diskutimi ka qenë gjendja energjetike në veri të vendit.