Në ditët e para të dhjetorit Shefqet Fetahaj nga Peja pësoi një aksident në vendin e tij të punës.
Atij iu këput dora aksidentalisht nga makineritë e rënda. I njëjti nuk mundi t’i përballojë plagët e rënda dhe ndërroi jetë vetëm disa ditë pasi që u shtri në QKUK.
Aksidente të ngjashme në vendin e punës pësuan edhe shumë persona të tjerë.
Kështu, gjatë vitit 2018 në vendin tonë kanë humbur jetën gjithësej 22 persona, shifra këto alarmante.
Ekzistojnë probleme të shumta që ballafaqohem punëtorët në vendin e punës, duke filluar nga sigurimi shëndetësor, kontratat e punës, mungesa e sigurisë në vendin e punë, shkruan Indeksonline.
Adelina Hasani, nga KDI thotë se një nga sektorët që kanë pasur më së shumti punëtorë të vdekur ka qenë sektori i ndërtimtarisë.
“Vdekja në vend të punës është alarmante, nga mungesa e sigurimit shëndetësor, kontratat, shohim se nga aksidentet fatale janë në sektorin e ndërtimtarisë. Qytetarët ballafaqohen me varfëri të madhe që pranojnë të punojnë edhe pa kushte pune. Me 52 inspektorë, thuhet se ligji për inspektoratin duhet të intensifikohet dhe numri i tyre duhet të rritet”, tha Hasani.
Nga ana tjetër, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thonë se janë duke punuar fort edhe në fuqizimin e rolit të Inspektoratit të Punës ku parashihet edhe të shtohet numri i inspektorëve.
Mimoza Kqiku, këshilltare e ministrit të Punës, Skënder Reçica, ka thënë se siguria dhe shëndeti në vendin e punës, kanë qenë sfidë që na kanë shoqëruar përgjatë vitit 2018.
“Këtë vit kemi pasur 22 raste të vdekjeve në vendin e punës dhe 112 raste të lëndimeve, mirëpo tek këto raste të lëndimeve përfshihen edhe lëndimet fare të vogla sikurse gërvishtjet dhe kjo ka të bëjë me një rritje të ndërgjegjësimit për raportim të rasteve pranë Inspektoratit të Punës. MPMS ka ndërmarrë hapa legjislativ për të zbatuar ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë. Është kompletuar Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë me akte nënligjore, në të cilat janë traspozuar 16 Direktiva si dhe janë realizuar 3 fushata vetëdijësuese për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Gjatë vitit 2018, ne kemi hartuar edhe Projektligjin për Inspektoratin e Punës i cili ka kaluar në lexim të parë në Kuvend. Ky ligj synon fuqizimin e rolit të Inspektoratit të Punës”, ka thënë Kqiku në një bisedë për Indeksonline.
Tutje, ajo ka bërë me dije se Inspektorati i Punës, përgjatë vitit 2018 ka realizuar 8,512 inspektime dhe ka shqiptuar 251 gjoba. Krahasuar me vitin 2017, përgjatë vitit 2018 ne kemi mbi 1,000 inspektime më shumë.
“Me qëllim që rritjes së sigurisë në vendin e punës, MPMS nëpërmjet Inspektoratit të Punës ka nisur që nga muaji tetor një Plan Operativ në sektorin e ndërtimtarisë, sektor i cilësuar me rrezikshmëri më të lartë, ku ka zbarkuar pothuajse tërë kontingjentin e inspektorëve në Prishtinë, Fushë Kosovë e Ferizaj. Gjatë këtij plani operativ janë intensifikuar inspektimet dhe disa vendpunishte që u janë gjetur shkelje, u është pezulluar puna përkohësisht. Ato vendpunishte që kanë përmirësuar kushtet dhe kanë nisur zbatimin e masave për siguri në vendin e punës, respektivisht respektim të legjislacionit në fuqi, u është lejuar vazhdimi i punimeve”, vlerësoi tutje ajo.
MPMS u bënë thirrje të gjithë punëmarrësve që të respektojnë legjislacionin në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë si dhe fton të gjithë punëmarrësit që të raportojnë kur të drejtat e tyre shkelen nga punëmarrësit.
Ndryshe sektori privat, i cili është punëdhënësi më i madh në Kosovë, nga përfaqësues të organizatave që mbrojnë të drejtat e punëtorëve, konsiderohet si shkelësi më i madhi të drejtave të punëtorëve, ku rrjedhimisht ka edhe një nivel më të ulët të sigurisë në punë, derisa në sektorin publik gjendja paraqitet shumë më e mirë.