Fjalë Kyçe

Personat me COVID-19 nuk do të mund të votojnë në qendrat e votimit

Personat me COVID-19 nuk do të mund të votojnë në qendrat e votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të angazhojë 200 ekipe mobile, të cilat do të shkojnë në adresat e këtyre votuesve. Por jo edhe personat e hospitalizuar do ta kenë këtë të drejtë. Atyre do t’u mohohet e drejta e votës.
Valmir Elezi, zëdhënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, tha se për personat e hospitalizuar nuk është paraparë votimi.

‘‘Ekipet mobile të KQZ do të dërgohen vetëm në adresa të qytetarëve të cilët janë të infektuar me COVID dhe qëndrojnë në karantinë shtëpiake. Në ditën e zgjedhjeve, Komisioni Qendror I Zgjedhjeve në 38 komunat e Republikës së Kosovës do të angazhohen 200 ekipe mobile të cilat do të shkojnë në adresat e votuesve të cilët janë të infektuar me COVID -19 dhe që nuk mund të shkojnë në vendvotimet e tyre për shkak të masave kufizuese. Pasi të pranojmë listat zyrtare të qytetarëve ne do ti kontaktojmë përmes telefonit dhe do t’ua bëjmë të ditur shërbimin që e ofron KQZ derisa më pas është në vullnetin e tyre të pranojnë ose jo ekipet mobile në ditën e zgjedhjeve’’, deklaroi Elezi.

Aktualisht COVID pozitiv të hospitalizuar në gjithë Kosovën janë rreth 550 pacientë. Ushtruesi i detyrës së drejtorit në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi tha se prej këtij numri të pacientëve tash për tash 26 janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.‘’Janë gjithsej 26 janë në gjendje të rëndë aktualisht . E kemi të vështirë të parashikojmë sa pacientë do të jenë ditën e votimit dhe në çfarë gjendje shëndetësore do të jenë. Por gjendja tash për tash është kjo’’, tha Krasniqi.

Megjithëkëtë anëtari i bordit këshillëdhënës, njëherësh mikrobiologu Lul Raka, tha për Radio Kosovën se të gjithë pacientët me COVID19 që janë të aftë psiko- fizikisht të votojnë, kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë, pavarësisht a janë në shtëpi a spital.‘‘Sa i përket pacientëve COVID pozitiv që janë në izolim shtëpiak duhet të votojnë dhe ka qenë propozim nga bordi këshillëdhënës edhe për zgjedhjet lokale në Podujevë dhe Mitrovicë dhe nuk shoh arsye pse të mos zbatohet prapë edhe në zgjedhjet e përgjithshme.

Ndërkaq sa i përket pacientëve të hospitalizuar , në disa shtete të Evropës këta pacientë kanë votuar me ndihmën e ekipeve mjekësore, e në disa shtete të tjera si Kroacia për shembull, ka organizuar votimin në atë mënyrë që kanë votuar në qendra të veçanta të votimit që janë përshtatur në përputhje me kërkesat e sigurisë shëndetësore dhe mbrojtjes së pjesëmarrësve të tjerë në zgjedhje.

Sidoqoftë mbetet të shihet se sa do të jetë numri i pacientëve të hospitalizuar në ditën e zgjedhjeve, me 14 shkurt, dhe a do tu mundësohet edhe këtyre personave të votojnë.