Policia e Kosovës ka bërë të ditur identitetet e gjashtë personave më të kërkuar nga ta, në mesin e të cilëve janë tre serbë kurse tre të tjerë kosovarë.
Siç raporton T7, 34 vjeçari, Destan Qorri akuzohet për tri vepra penale të dhunimin, sulmit seksual dhe kanosjes ndaj viktimave femra të mitura.
Derisa Qorri vazhdon ende të sillet i lirë, Policia njofton se po kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e tij në pamundësi për ta kapur.
Një ndër gjashtë personat më të rrezikshëm në Kosovë është edhe 29 vjeçari, Dusan Jovanovic, i cili kërkohet nga Policia e Kosovës si i dyshuar për vrasjen e policit Enver Zymberi.
Për vrasjen e policit që ra në krye të detyrës, po kërkohet edhe 58 vjeçari Ratomir Bozovic, i njohur me nofkën “Dude”.
Kurse, për serbin tjetër, Branislav Rakic, i cili gjithashtu gjendet në këtë listë të personave më të rrezikshëm në vend, ende nuk dihet se çfarë vepra penale ka kryer.
Korab Zogjani është tjetri person i listuar si i rrezikshëm, i cili rreth 14 vjet më parë ka vrarë Bekim Osmanin në Fushë Kosovë, ndërsa ende nuk dihet se ku ndodhet.
Ndërkaq, në këtë listë ende figuron edhe Ridvan Ademi, i cili ishte pjesë e grupit që dyshohen për grabitje të bankave, veturave, karburanteve.