Flora Miftari-Basholli, specialiste e shëndetit publik, është mes disa qindra profesionistëve shëndetësorë që kanë marrë dozën e parë të vaksinës për COVID-19 në Shqipëri. Ajo ka marrë vaksinën britanike “Astra Zeneca”, ku 24 mijë doza të të njëjtit lloj kanë mbërritur të dielën mbrëma edhe në Kosovë.
Ajo, në “Express intervistë” ka inkurajuar qytetarët, para së gjithash grupet që parashihen të vaksinohen në fazën e parë, sipas Planit Shtetëror të Vaksnimit, të marrin këtë vaksinë posa t’ju jepet rasti.
Ajo tregoi edhe përvojën personale, duke thënë se pas vaksinës mund të ketë ndonjë ndjenjë të jorehatisë, por gjë që ndodh me të gjitha vaksinat tjera.
“Nga përvoja personale nuk kam asnjë ankesë, një kokëdhembje të lehtë, dhimbje e qafës, mirëpo kualifikohet si reaksion pas vaksinimit. Në përgjithësi grupi ka kaluar pa ndonjë simptomë madhore që ia vlen të përmendet, përkundrazi të nesërmen kemi dalë në punë”, ka thënë Miftari-Basholli. Ajo është mes 350 profesionistëve të parë shëndetësorë nga Kosova që u vaksinuan në Kukës, disa ditë më parë.
“Organizimi nga Shqipëria ka qenë për çdo falënderim, së pari kemi plotësuar një formular, e pas vaksinimit kemi qëndruar për 20 minuta për të parë mos dikush ka ndonjë reaksion alergjik”, tha ajo.
Miftari-Basholli vlerëson se vetëm imunizimi i masës garanton daljen nga kjo situatë e pandemisë. Dhe ky imunitet kolektiv arrihet pasi të vaksinohet 70 për qind e popullatës.
Ajo vetë e kishte kaluar COVID-19 para shtatë muajve, mjaftueshëm sa për të marrë dozën e parë të vaksinës.
Për vaksinën “Astra Zeneca” duhet të kalojnë gjashtë muaj nga koha kur pacienti e ka kaluar COVID-19 për t’iu nënshtruar procesit të imunizimit.
Doza e dytë merret pas 8 deri në 12 javë.
“Pikërisht, doza e dytë është e rëndësishme. Dy javë pas dozës së dytë arrihet pika më e lartë e imunitetit. Sipas studimeve, me ‘Astra Zeneca’, janë vetëm 3 për qind gjasat që pacienti të preket me COVID-19 pas vaksinimit, por në formë të lehtë, 100 për qind e ndalon sëmundjen e rëndë”, tha ajo.
Specialistja e shëndetit publik ka thënë se në bazë të një ankete të kryer më herët, 1\4 e popullsisë heziton ta marrë vaksinën, por thotë se kjo nuk është rruga e duhur.
Ajo tha se vaksinimi është tejet i rëndësishëm.
“Kosova mburret për shkallën e vaksinimit që ka, popullata duhet ta dijë që imunizimi është metoda më e mirë që blihet me para, është metodë që funksionon te të gjithë, është preventivë e suksesshme kundër COVID-19, gjithnjë duke respektuar masat, si mbajtjen e maskës, distancën dhe higjienën personale. Këto masa me faktorin e katërt, që është vaksinimi, besoj se do të na japin një shtytje të dalim nga kjo situatë”, tha ajo.