Fjalë Kyçe

Pesë fuqitë botërore do të diskutojnë me Iranin

Pesë fuqitë botërore do të diskutojnë me Iranin

Pesë fuqitë botërore do të diskutojnë për Iranin në fund të muajit, si pjesë e përpjekjeve për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e cila synonte të frenojë planet e Teheranit drejt pasurimit të uraniumit, që shërben për krijimin e armës bërthamore.

Në këmbim të kësaj, Irani lirohej nga sanksionet ekonomike.

Por, Teherani ka thënë se ka rritur nivelet e uraniumit duke shkelur kështu marrëveshjen.

Këtë veprim, regjimi iranian tha se e ka ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë dalë nga marrëveshja me Iranin, pasi kanë vlerësuar se ajo i mundëson pajisjen me armë bërthamore.

Tensionet midis Iranit dhe vendeve perëndimore janë në nivelet më të larta.

Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina, do të takojnë përfaqësuesit e Iranit, në Vjenë më 28 korrik, për të diskutuar për marrëveshjen e vitit 2015.

Përpjekjet për të shpëtuar marrëveshjen, janë ndërlikuar në javët e fundit, pas tensioneve ndërmjet Londrës dhe Teheranit, të cilat u shkaktuan nga kapja e një cisterne iraniane jashtë Gjibraltarit dhe konfiskimi i mëvonshëm nga ana e Iranit të një cisterne të naftës me flamur britanik në ngushticën e Hormuzit.

Shtetet e Bashkuara disa herë kanë thënë se kurrë nuk do të lejojnë që Irani të posedojë armë bërthamore.