Fjalë Kyçe

Pesë të rinjë nga Shkolla me kontrata profesionale

Pesë të rinjë nga Shkolla me kontrata profesionale

Prishtina tani ka 7 futbollistë nën moshën 20 vjeçare.

Prishtina vazhdon vit pas viti me kontrata profesionale për të rinjtë, talentet e klubit duke iu dhënë rast të afirmohen dhe të hyjnë në konkurrencë me futbollistët titullar të ekipit të parë. Këta pesë futbollistë, Lis Ahmeti, Laurit Behluli, Ramush Ramadani, Trimron Selimi dhe Armend Gashi, iu bashkohen edhe dy të rinjve tjerë, Qendrim Zyba dhe portierit Adi Hyla dhe që të 7-të këta futbollistë nuk e kalojnë moshën 20 vjeç.

Këta janë e ardhmja e klubit, por më së shumti karriera e tyre profesionale do të varët nga puna, përkushtimi dhe vullneti që do ta shprehin përkrah, tani, shokëve më të vjetër të skuadrës. Prishtina ua hap dyert të gjithë talenteve të cilët duhet pastaj të dinë, pa dyshim, të kenë edhe fat, që të kalojnë tutje në karrierën profesionale.

Disa nga këta të rinj, me harmoni të plot me shtabin teknik, do të ofrohen në huazim tek skuadrat ku do të mund të luajnë të gjitha ndeshjet për të arritur përvojën e duhur në këmbët e tyre.

Laurit Behluli

Laurit Behluli, më 17 maj ka mbushur 19 vite, portieri i U19 të Prishtinës dhe i si i 3-ti i ekipit të parë në edicionin e fundit, ka zgjatur kontratën duke mbetur pjesë e Prishtinës. Ish-portier i U17 dhe i grumbulluar me U19 të Kosovës, pjesë e Prishtinës është nga viti 2015, ndërsa vije nga Komuna e Gjilanit.

“Jam i lumtur që jam pjesë e klubit më të trofeshëm në vend dhe që viteve të fundit kisha mundësi të kontribuoj në fitimin e titujve kampion tek grupmoshat e reja. Zgjatja e bashkëpunimit më jep më shumë vullnet për punë dhe ti ndihmoj ekipit sa më shumë që t’i kalojmë sfidat e përbashkëta që na presin në të ardhmen”, ka thënë njëri nga katër portierët e tashëm të skuadrës, Behluli.

Lis Ahmeti

Lis Ahmeti, 19 vjeç, i lindur më 19.01.2000 në Prishtinë, pjesë e fanellës bardhekaltër është nga viti 2006 duke kaluar të gjitha grupmoshat e Shkollës së futbollit. Sulmuesi i krahut ka qenë i grumbulluar me U13 dhe U19 të Kosovës. Në edicionin e sapo mbyllur të juniorëve, me gjithë se kishte një lëndim duke mos zhvilluar shumë ndeshje, ka shënuar 6 gola.

“Unë si lojtar i Shkollës së futbollit FC Prishtina, jam shumë i kënaqur me kontratën që kam lidhur me këtë skuadër dhe normalisht se besimi i dhënë për të qenë zyrtarisht pjesë e skuadrës do të jetë motiv shtesë për të dhënë maksimumin nga vetja në fushën e blertë. Kaltër e bardh është ngjyra e gjakut tim dhe kjo është shpërblimi më i madh që më është dhënë”, ka thënë sulmuesi i krahut, Lis Ahmeti.

Ramush Ramadani

Ramush Ramadani, më 15 qershor ka mbushur 19 vite. Me kontratë me FC Prishtinën është nga mosha 17-vjeçare, ndërsa tani ka vazhduar edhe më tej qëndrimin në klubin me të cilin luan nga viti 2009 duke kaluar të gjitha grupmoshat e Shkollës, edhe pse i lindur në Ferizaj dhe duke udhëtuar gjithmonë nga atje. Ka qenë i grumbulluar me U15 të Kosovës, ndërsa përveç pozitës natyrale të mesfushorit, Ramadani në ekipin e parë është sprovuar edhe në dy krahët ekstrem të mbrojtjes.

“Puna dhe përkushtimi i palodhshëm që e kam bërë gjatë gjitha gjeneratave të reja të klubit të Prishtinës, u shpërblyen me vazhdimin e dytë të kontratës. Falënderoj Zotin, familjen dhe të gjithë ata që më përkrahën deri më sot. Premtoj që do të jap maksimumin për ekipin, për t’i arritur objektivat e klubit cila do qofshin ato”, ka thënë mesfushori trup korpulent, Ramadani.

Trimron Selimi

Trimron Selimi, më 6 shtator mbush 19 vite. I lindur në Podujevë, në Prishtinë është transferuar para dy vitesh duke zhvilluar dy edicione me U19 të Prishtinës. Qendërsulmuesi i U19 vetëm këtë edicion me këtë grupmoshë ka shënuar 20 gola për skuadrën e re bardhekaltër. Selimi, përveç qendrës së sulmit, në ekipin e parë nën urdhrat e kryetrajnerit Josa ka luajtur edhe si alo sulmuese.

“Ndihem shumë i lumtur që fillimisht kam qenë pjesë e gjeneratave të reja, konkretisht të U19 të Prishtinës, përderisa lumturia e arrin kulmin tash kur kam nënshkruar kontratë me klubin më me emër dhe më me nam në Kosovë. Jam shumë i bindur që do të ua kthej besimin trajnerit dhe kryesisë së klubit duke djersitur fanellën me të njëjtat ngjyra që e kanë djersitur edhe shume yje të futbollit shqiptar sikurse Fadil Vokrri, Favzi Rama e shumë e shumë tjerë. Serioziteti në punë e bënë të veçantë sportistin. Përpara Prishtinë”, ka thënë Selimi.

Armend Gashi

Armend Gashi, është më i riu në mesin e 7-të futbollistëve të rinj të skuadrës së parë. 18 vjeçari i lindur më 20.01.2001 afër Prishtinës, në skuadrën bardhekaltër është nga viti 2013 duke kaluar të gjitha grupmoshat e reja. Ka qenë i grumbulluar me U17 të Kosovës. Sulmuesi anësor, me Prishtinës ka të lidhur kontratën nga U17, ndërsa tani ka zgjatur edhe më tej. Kështu, talenti që ka rënë në sy edhe jashtë vendit, në edicionin e mbyllur të U19 të Prishtinës ka shënuar 14 gola, ka vendosur t’i qëndroj besnik skuadrës edhe si profesionist.

“Unë si lojtari i Shkollës së futbollit Prishtina, jam shumë i kënaqur me vazhdimin e kontratës dhe tani jam edhe më shumë i fokusuar në punën time që të jap maksimumin nga vetja për ekipin tim të zemrës. Puna me ekipin e parë dhe me trajnerët çfarë ka skuadra, më jep shumë shpresë se do të përparoj edhe më shumë dhe sa më shpejt që do të më jepet rasti të dëshmoj besimin që më është dhënë”, ka thënë Gashi.