Pesë tema duhet të adresohen me urgjencë në vitin 2024, sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një postim në Facebook, ka thënë se më 2024 Qeveria duhet të fokusohet në arsim, rritje pagash, ulje të çmimit të rrymës, rritjen e pagës minimale dhe mbështetjen për sektorin privat.
“Viti që lamë pas mos të na i marrë me vete temat që kërkojnë trajtim urgjent. Në të kundërtën, kjo qeveri po mbetet institucioni ku mund të gjesh të gërshetuara të gjithë koleksionin e gënjeshtrave. Nuk duhet lejuar që viti 2024 të jetë vazhdimësi e një qeverisjeje të dështuar, me skandale të panumërta dhe pa vizion për zhvillim”, ka shkruar ai.
Sipas tij, në arsim AAK-ja do të kërkojë “të ndalet synimi për ngufatjen e Sindikatës së Arsimit, të përmirësohen kushtet infrastrukturore të arsimit të lartë dhe të ketë rritje të mbështetjes për hulumtime shkencore në universitetet publike”.
Çështja tjetër, që sipas Tahirit, kërkon vëmendje urgjente është rritja e pagave në publik. Ai ka paralajmëruar se AAK-ja do ta iniciojë rritjen e pagës përmes koeficienteve në Ligjin e Pagës dhe ngritjen e vlerës së koeficientit përmes Ligjit për Buxhet.
Ai ka paralajmëruar iniciativë në Kuvend edhe për uljen e çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se rritja është e papërballueshme.
AAK-ja ka thënë po ashtu se do të kërkojë që paga minimale të rritet në 450 euro.
Në pikën e pestë ai ka kërkuar mbështetje për sektorin privat. “Për dy vite mbi një miliard euro të cilat kanë qenë të dedikuara të investohen në projekte kapitale, nuk janë shpenzuar në Kosovë. Si rezultat, kemi shkolla më pak, çerdhe më pak, rrugë më pak, investime më pak dhe punësim më pak. Si grup parlamentar do të insistojmë në interpelanca të rregullta pse s’po ndodhin shpenzimet. Nëse vazhdon bllokimi i investimeve kapitale, po kontribuojmë në ikjen e qytetarëve nga vendi. Tashmë, rruga u është hapur!” ka përfunduar Tahiri.