Një panel këshillimor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë po analizon aktualisht vaksinën e kompanisë AstraZeneca kundër COVID-19, pasi disa vende evropiane pezulluan imunizimet me këtë vaksinë pasi ka pasur raportime për mpiksje gjaku në disa individë pas vaksinimit. Por një zëdhënëse e OBSH-së theksoi të premten se nuk ka arsye për shqetësim.
Zhgënjim dhe konfuzion përfshin turmën që pret në radhë në Kozenca të Italisë pasi një kolonel njofton se kjo pikë vaksinimi do të ndalte imunizimet. Vendimi, thotë ai, është marrë nga agjencia farmaceutike e vendit, AIFA, e cila ka nxjerrë urdhër për të ndaluar përdorimin e një sasie të vaksinës AstraZeneca.
Italia, Danimarka, Norvegjia dhe Islanda janë disa nga vendet që kanë pezulluar imunizimet me vaksinën AstraZeneca pas njoftimeve për mpiksje gjaku në disa individë pas vaksinimit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë po analizon tani vaksinën, por një zëdhënëse e organizatës tha të premten se nuk ka arsye për shqetësim. Për momentin, thotë zëdhënësja, nuk është vërtetuar ndonjë lidhje shkak-pasojë mes vaksinës dhe problemeve të vërejtura. Për ata që ishin regjistruar të bënin këtë vaksinë dhe që prisnin në radhë në Kozencë, njoftimi ka shkaktuar konfuzion:
“Na vjen keq për ata para nesh. Nëse kjo vaksinë prishet tani e duhet hedhur, nuk di se ç’mund të bëhet. Duhet të kontaktohen ata që bënë vaksinën sa më parë të jetë e mundur,” thotë një italian që priste në radhë për vaksinim.
Në Britani, ku vaksina e kompanisë AstraZeneca u miratua për përdorim në fund të dhjetorit vjet, një anëtar i komisionit për vaksinimet dhe imunizimet shprehet se nuk ka prova që tregojnë se vaksina është shkaktare e problemeve të vërejtura:
“Për momentin nuk duhet të shqetësohet njeri. Kemi bërë 11 milionë doza vaksine të AstraZeneca-s dhe agjencia jonë rregullatore, e cila mbikqyr raportet mbi sigurinë po analizonte nëse këto raste me mpiksje gjaku në grupin e të vaksinuarve dallojnë nga ato të vërejtura në popullatën e gjerë. Nuk ka prova për shkak pasojë mes të vaksinës dhe këtyre simptomave,” thotë Profesor Anthony Harnden.
Eksperti shton se këto simptoma mund të jenë të rastësishme ose mund të jenë shkaktuar nga sëmundja që po përpiqet të luftojë vaksina:
“E dimë se COVID-i shkakton mpiksje gjaku dhe e dimë se kjo sëmundje shkakton probleme vaskulare. Njerëzit duhet të jenë të qetë se në Britani nuk ka sinjale serioze për probleme sigurie,” thotë Prof. Anthony Harnden.
Profesor Harnden shton se do të ketë raste kur individë që sapo janë vaksinuar do të preken nga sëmundje të rënda, por kjo nuk do të thotë se shkaku i sëmundjes ishte vaksina.
Edhe ekspertë të tjerë nënvizojnë se pas dhjetëra miliona dozave të bëra me këtë vaksinë në mbarë botën, deri tani nuk ka pasur njoftime për probleme shëndetësore.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vuri në dukje vendimin e disa vendeve evropiane për të pezulluar përdorimin e kësaj vaksine, por shtoi se Agjencia Evropiane për Mjekësinë ka vendosur që përfitimet nga vaksina tejkalojnë rrezikun dhe se deri tani asnjë nga vaksinat kundër COVID-it nuk ka shkaktuar vdekje./VOA