Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në shënim të Ditës së të Pagjeturve ka thënë se Serbia po vazhdon të bëjë krime të dyfishta.
Në një deklaratë për media, Osmani e ka quajtur 27 prillin ditën më të dhimbshme në historinë e vendit dhe plagë të hapur derisa nuk zbardhet fati i të pagjeturve.
“Sot është një nder ditët më të dhimbshme në historinë e Kosovës, sepse përveç që shënojmë 25 vjetorin e masakrës më të madhe të kryer kundër shqiptarëve në Kosovë në luftën e fundit, pra masakrën e Mejës, po ashtu edhe i bashkohemi dhimbjes së gjithë familjarëve të të zhdukurve me dhunë të cilët edhe 25 vitet pas akoma e kanë dhimbjen dhe mungesën e pa përshkueshme me fjalë”, ka thënë ajo.
Osmani është shprehur se Serbia po vazhdon t’i fshehë krimet dhe t’i humbë gjurmët e atyre që ka kryer gjatë luftës në Kosovë.
“Është një dhimbje që ta shpon shpirtin sepse për dallim nga shumë tjerë që kanë humbur më të dashurit, familjet e të zhdukurve akoma nuk kanë ku ta vendosin një lule për t’i përkujtuar familjarët e tyre. Siç po e shohim edhe nga shoqata e familjareve të të zhdukurve me dhunë që janë sot me në një numër i madh i tyre janë fëmijë të vegjël edhe sot Serbia vazhdon të fle mbi varreza masive edhe sot Serbia vazhdon të bëjë krim të dyfishtë sepse njëherë e kreu krimin dhe pastaj bëri çmos që ta fshehë atë duke i fshehur gjurmët e krimit edhe 25 vite pas përkundër faktit që kryetari i komisionit qeveritar Andin Hoti disa herë i ka drejtuar letra Serbisë, duke kërkuar që në përputhje me marrëveshjen në Bruksel të hapën arkivat për të dhënat e brigadave edhe policore edhe ushtarake për të cilat ka dëshmi të qarta se kanë marrë pjesë në masakra. Por po ashtu edhe në operacionin e pasluftës për fshehjen e trupave, Serbia akoma nuk bëhet e gjallë në përgjigjen ndaj këtyre kërkesave dhe akoma vazhdon që ta shkelë këtë marrëveshje kaq të rëndësishme të arritur në Bruksel”, ka theksuar presidentja./EO