Fjalë Kyçe

Plagosja e dy shtetasve të huaj në Prishtinë nga taksisti – Flet mjeku kujdestar nga QKUK-ja

Plagosja e dy shtetasve të huaj në Prishtinë nga taksisti – Flet mjeku kujdestar nga QKUK-ja

Dy shtetas të huajë, të shtunën kanë raportuar në Policinë e Kosovës për një grabitje me armë, që iu është bërë nga shoferi i një taksi në Prishtinë.

Sipas tyre, taksisti ua ka grabitur telefonat duke i gjuajtur me armë zjarri.

Në lidhje me rastin Insajderi ka kontaktuar mjekun kujdestar në QKUK, Avdush Bajgorën, i cili i pranoi mbrëmë dy të lënduarit.

Bajgora ka thënë se të dy kanë qenë jashtë rrezikut për jetë duke shtuar që të lënduar kanë qenë në këmbë.

“Dy shtetasit e huajë janë pranuar diku rreth orës 14:00 në Klinikë kanë pasur lëndime në këmbë me armë zjarri, dhe kanë qenë jashtë rrezikut për jetë. Në moshë kanë qenë të rinj, saktë nuk e di”, ka thënë Bajgora për Insajderin.

Insajderi ka provuar të marrë më shumë detaje në lidhje me rastin edhe nga Policia e Kosovës. Por të njëjtit kanë thënë se gjithë informacionet ndodhen në raportin 24 orësh të Policisë.

Sipas raportit, pas grabitjes së telefonave, personi i dyshuar i ka plagosur viktimat me armë zjarri.

“Më datën 24.10.2020 në orën 13:30, Raportohet se dy meshkuj shtetas të huaj kanë informuar se vozitësi (i pa njohur) i një taksi, ju ka grabitur telefonat mobil dhe më pas me armë zjarri i ka plagosur të dy viktimat. Viktimat janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor dhe janë jashtë rrezikut për jetë. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.