Fjalë Kyçe

Planprogrami i parealizuar mësimor bartet në gjysmëvjetorin e dytë

Planprogrami i parealizuar mësimor bartet në gjysmëvjetorin e dytë

Mësimdhënësit nuk janë të kënaqur me vendimin për përfundimin para kohës të gjysmëvjetorit të parë, sepse kështu do të dëmtohet edhe më shumë procesin mësimor.

Mësuesja e klasës së parë Belgyzare Mustafa tregon se orari i shkurtër mësimor në kohën e pandemisë ka sfida, meqë mësimi nuk është i njëjtë në këtë periudhë, raporton KOHA.

Por, sipas saj, përfundimi i gjysmëvjetorit të parë para kohës do ta dëmtonte procesin.

“Normal, nuk është sikur gjendje normale. Ne duhet ta përshpejtojmë pak planprogramin. Jemi me klasën e parë dhe sigurisht se koha më e gjatë do të ishte më e përshtatshme”, ka thënë Belgyzare Mustafa, mësimdhënëse në ShFMU “Dardania” në Prishtinë.

Sipas saj, edhe pjesa e vlerësimit të nxënësve do të jetë më e vështirë.

Zëvendësdrejtori i shkollës “Dardania”, Nehar Shasivari, ka thënë se një pjesë e planprogramit të papërfunduar do të plotësohet në periudhën tjetër.

“Nëse programi nuk mund të përfundojë më herët do ta shfrytëzojmë pushimin pranveror dhe atë në fund të vitit, meqë situata është jo e këndshme, ku kemi edhe një numër të madh të të infektuarve”, ka shtuar Shasivari.

Ministria e Arsimit ka thënë se kërkesën për shkurtimin e gjysmëvjetorit e ka bërë vetë ministri i Arsimit, Ramë Likaj, shkaku i gjendjes së rënduar me pandeminë.

“Ministri Likaj këtë kërkesë e ka bërë për shkak të gjendjes së përgjithshme të situatës në përballje me COVID-19, si dhe për shkak të gripit sezonal. ​ Planprogrami gjithsesi duhet përmbushur, gjatë gjysmëvjetorit të dytë duhet planifikuar realizimin e planprogramit në tërësi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

Ministria e Arsimit në Udhëzimin Administrativ kishte planifikuar që pushimi dimëror të fillojë më 28 dhjetor 2020 dhe të mbarojë më 8 janar të vitit 2021, por me vendimin e fundit është vendosur që nxënësit të shkojnë në pushim nga 18 dhjetori.