Biznesmeni Ruzhdi Hoxha u gjet i vrarë në zonën e Qafë Mollës, Dajt. Trupi i tij u gjet i mbuluar me zhavor dhe gurë nga qentë e Institutit të Policisë. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha dhe grupi i xhirimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje për të raportuar detajet e reja të ngjarjes.
Në një moment, një prej efektivëve është nervozuar nga fakti që mediat kishin kaluar shiritin e policisë dhe ka shtyrë gazetaren Anila Hoxha dhe një operatorë. Ata janë rrëzuar në tokë, në anë të një gremine. Gazetarja Anila Hoxha ka pësuar lëndime dhe gërvishtje nga sjellja brutale e policisë.
“Polic je ti ore. Çfarë je ti? Debil”, i thotë në një gazetarja Anila Hoxha – efektivit pasi rrëzohet në tokë.
Policia ka ngritur dyshime të forta këtë të shtunë se autor i vrasjes së biznesmenit Ruzhdi Hoxha është shtetasi Ferdinant Rrushi.
Rrushi është arrestuar nga policia, ndërsa rezulton që është personi i fundit që ka takuar biznesmenin. Ai pretendon se e ka lënë Ruzhdi Hoxhën në banesën e tij, në zonën e 3-shit në Tiranë dhe më pas është larguar me automjetin e tij drejt banesës.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se automjeti sapo është larguar nga një degëzim i autostradës në afërsi të një lokali, ka vijuar udhëtimin drejt Dajtit.
Pikërisht në këtë zonë pas 10 ditë kërkimesh, policia me qentë e gjurmës gjeti në Qafë-Mollë, mbrapa Dajtit, në një greminë, trupin e pajetë të Ruzhdi Hoxhës, i mbuluar me zhavorr e gurë.