Në Hong Kong, një protestues u plagos rëndë me armë zjarri të hënën nga një polic, ngjarje që shënon një përshkallëzim dramatik të demonstratave pro-demokracisë.
Pamjet video tregojnë një polic duke i drejtuar armën një protestuesi të maskuar ndërsa po përpiqej ta arrestonte.
Oficeri më pas hapi zjarr ndaj një protestuesi të dytë me rroba të zeza që po afrohej.
Policia e Hong Kong konfirmoi se një protestues ishte qëlluar. Autoritetet e spitalit thanë se protestuesi i plagosur ishte në gjendje kritike.
Ngjarja vjen ndërsa protestat e fundjavës që e kanë zhytur territorin kinez në kaos prej pesë muajsh, vazhduan edhe të hënën. Grupe të vogla protestuesish të maskuar bllokuan disa kryqëzime rrugësh dhe linja hekurudhore si dhe vandalizuan disa biznese.
Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe me topa uji për të shpërndarë protestat në pjesë të ndryshme të qytetit, përfshirë kampusin e Universitetit Politeknik të Hong Kongut.
Pati gjithashtu njoftime se një personi iu vu zjarri pasi e kishte spërkatur trupin me benzinë. Shefja Ekzekutive Carrie Lam, e cila është bërë shënjestër kritikash, e dënoi ngjarjen si “një shkelje flagrante të paqes dhe sundimit të ligjit”.