Fjalë Kyçe

Policia arreston dy persona për gjuajtje me armë në një dasmë në Drenas, njëri nga ta i mitur

Policia arreston dy persona për gjuajtje me armë në një dasmë në Drenas, njëri nga ta i mitur

Festat me armë zjarri në ahengjet e ndryshme familjare janë shndërruar në një dukuri të zakonshme gjatë stinës së verës. Çdo ditë në Polici raportohen raste të shumta kur duhet intervenimi i njësiteve policore në oborret e shtëpive ku krahas këngës e vallëzimit, dasmorët ia krisin edhe ‘alltisë’, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë rreth orës 20:00 në fshatin Tërstenik të komunës së Drenasit, ku Policia ka dalë në vendin e ngjarjes pasi morën informacione se dikush atje ka shtënë me armë zjarri.

Sinjali mëson se me të arritur te vendin ku po mbahej dasma, zyrtarët policorë kanë hasur në personin e dyshuar, i cili e ka pranuar se ka shtënë me armën e tij, e cila më pas është sekuestruar bashkë me një karikator të zbrazët.

Përveç 49-vjeçarit, me armë kishte gjuajtur edhe një person i mitur, të cilit po ashtu Policia ia sekuestroi një armë. E gjatë kontrollimit të vendit të ngjarjes, policët gjetën dhe sekuestruan edhe tri gëzhoja që dyshohet se janë të armëve që u përdorën në rast.

Dy të dyshuarit u shoqëruan në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të prokurorit ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës’.